Tensionet në Francë u rritën ndjeshëm mbrëmjen e djeshme, pasi pesë dronë u sinjalizuan duke fluturuar mbi bazën strategjike të nëndetëseve bërthamore në Ile Longue, në portin e Brestit. Baza është një nga objektet më të ndjeshme të mbrojtjes franceze, pasi aty janë vendosur nëndetëset me raketa bërthamore penguese.
Sipas xhandarmërisë lokale, batalioni i artilerisë detare që mbron zonën “ka kryer disa të shtëna kundër dronëve”, në përpjekje për t’i neutralizuar ata. Ngjarja konsiderohet një nga incidentet më serioze të viteve të fundit, për shkak të rëndësisë strategjike të objektit të shënjestruar.
Autoritetet franceze kanë ngritur në alarm strukturat e sigurisë, ndërsa mediat vendase raportojnë se në Paris po qarkullojnë dyshime të forta për një akt spiunazhi ose sulm hibrid të orkestruar nga Rusia. Hetimet po vijojnë dhe deri tani nuk ka deklarata zyrtare nga qeveria franceze.
Reagimi i Macron: Duhet rritur presioni mbi Rusinë
Në një deklaratë të dhënë gjatë përfundimit të vizitës së tij shtetërore në Kinë, presidenti francez Emmanuel Macron theksoi se është e domosdoshme “të intensifikohet presioni mbi ekonominë ruse”, duke u ndalur te ndikimi i luftës në Ukrainë dhe destabilizimet e lidhura me të.
Macron shtoi se uniteti mes SHBA-së dhe Europës është thelbësor për sigurinë kontinentale dhe për mbështetjen e Ukrainës, duke nënvizuar se nuk duhet lejuar “asnjë përçarje” mes aleatëve perëndimorë.
“Asnjë mosbesim, por bashkëpunim në shërbim të Ukrainës, ligjit ndërkombëtar dhe sigurisë sonë kolektive”, theksoi presidenti francez.
