Një 24-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Kosovës, është arrestuar nga Policia e Kukësit me qëllim ekstradimin drejt vendit fqinj.
I arrestuari është Selmir Çinari, banues në fshatin Borje, i cili ishte në kërkim për veprën penale “Vjedhje e rëndë”. Arrestimi i tij u bë në të njëjtin fshat, pas informacioneve të siguruara nga strukturat policore në rrugë operative.
Sipas njoftimit zyrtar, ndaj 24-vjeçarit Gjykata Themelore e Prizrenit kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, duke çuar në shpalljen e tij në kërkim ndërkombëtar.
Operacioni u realizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës në bashkëpunim me Sektorin e Forcës Operacionale, ndërsa Interpol Tirana, në koordinim me autoritetet kosovare, do të vijojë procedurat ligjore për ekstradimin e tij në Kosovë.
Policia bën me dije se vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e personave të tjerë të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar.
