Seanca gjyqësore në GJKKO për dosjen “Partizani” është shoqëruar me tensione dhe replika të forta mes palëve, gjatë dëshmisë së Taulant Balla.
I thirrur si kallëzues dhe dëshmitar, Balla u vu përballë një sërë pyetjesh nga avokatët mbrojtës të Jamarbër Malltezi dhe Sali Berisha, të cilët kërkuan sqarime mbi bazën e kallëzimit dhe provat e paraqitura prej tij.
Avokati i Malltezit, Klodian Skënderi, kërkoi të dijë nëse kallëzimi ishte bërë në cilësinë e deputetit apo qytetarit, si dhe nëse ishte i mbështetur në prova konkrete. Balla u përgjigj se kishte bashkëngjitur të gjitha materialet që dispononte, duke shtuar se informacionet i kishte siguruar nga qytetarë, media dhe përmes të drejtës së tij si deputet për të kërkuar të dhëna nga institucionet.
Megjithatë, gjatë pyetjeve të mëtejshme, ai deklaroi se nuk i kujtohej nëse kishte marrë përgjigje nga Ministria e Mbrojtjes për dokumentet e kërkuara, ndërsa për mënyrën e dorëzimit të kallëzimit dha versione të ndryshme, duke thënë fillimisht se e kishte dorëzuar vetë dhe më pas se mund të ishte dorëzuar nga një punonjës i Kuvendit.
“Për herë të 17 po them, bazuar në dyshime kam marrë vendimin të bëj këtë kallëzim,” u shpreh Balla gjatë seancës.
Në një moment, ndërhyri edhe trupi gjykues i GJKKO, duke i tërhequr vëmendjen Ballës për të respektuar rolin e tij si dëshmitar dhe për të shmangur komentet jashtë pyetjeve.
“Mbani vendin tuaj, jeni thjesht dëshmitar. Nuk lejohen komentet,” u shpreh gjykata.
Në përballjen me avokaten e Berishës, Klodiana Gjyzari, Balla deklaroi se objektet në fjalë ishin në gjendje të mirë dhe të rikonstruktuara, por sipas tij ishin privatizuar me një vlerë shumë të ulët. Ai shtoi se, ndonëse nuk ishte ekspert, mendonte se vlera reale mund të ishte “10 herë më e lartë”.
Ndërkohë, avokati Sokol Mëngjesi kërkoi të dinte se kush kishte përfituar nga procesi i privatizimit. Balla u përgjigj se, sipas tij, përfitues ishte Jamarbër Malltezi dhe subjekte të lidhura me të, duke përmendur edhe ndikimin e tij si familjar i ish-kryeministrit.
“Unë jam këtu si kallëzues. Nëse do të kisha të gjitha faktet, nuk do të kishte nevojë për prokurorinë,” përfundoi ai.
Seanca pritet të vijojë me dëshmitarë të tjerë, ndërsa dosja “Partizani” mbetet një nga proceset më të rëndësishme gjyqësore në vend.
