Reshjet intensive të shiut dhe dëborës, të shoqëruara me temperatura të ulëta, kanë krijuar problematika në disa qarqe të vendit, duke ndikuar në qarkullimin rrugor, furnizimin me energji elektrike dhe sigurinë e banorëve, kryesisht në zonat malore dhe pranë lumenjve.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, situata më problematike paraqitet në qarkun Gjirokastër. Në bashkinë Gjirokastër ka prezencë dëbore në njësinë administrative Picar, ndërsa lumi Drino i është afruar trupit të rrugës, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për forcimin e argjinaturës. Në fshatrat Odrie, Lunxhëri dhe Zagori po punohet për hapjen e akseve të bllokuara, si dhe për lirimin e një ure të vogël në aksin Krinë–Tranoshisht–Saraqinishtë. Në bashkinë Dropull, ura e Glinës mbetet problematike, ndërsa vijon puna për lirimin e akseve Pogon–Dropull dhe Zagori–Libohovë.
Në qarkun Lezhë, reshjet e dëborës kanë përfshirë edhe zonat e ulëta, përfshirë qytetin e Lezhës. Autoritetet bëjnë me dije se riparimi i argjinaturës së dëmtuar në lumin Drojë ka përfunduar. Ndërkohë, në qarkun Vlorë raportohet përmirësim i situatës së prurjeve në lumin Vjosë, ndërsa nënkalimi në fshatin Bishan mbetet i bllokuar, pa dëmtime në banesa, por me prani uji në oborre.
Në zonat e Elbasanit dhe Peqinit, dëbora dhe ngricat kanë bllokuar disa akse rurale. Në qarkun Dibër, forcat e emergjencës civile po punojnë për pastrimin e rrugëve me prezencë akulli dhe rrëshqitje dherash. Paralelisht, ekipet e OSHEE po punojnë për rikthimin e energjisë elektrike në njësitë administrative Bulqizë, Klos, Dibër dhe Lurë.
Ministria e Mbrojtjes njofton se Forcat e Armatosura, strukturat e Mbrojtjes Civile, policia dhe shërbimet bashkiake janë të angazhuara në terren për përballimin e situatës dhe rikthimin e normalitetit. Banorëve të zonave të prekura u bëhet thirrje të shmangin lëvizjet e panevojshme, të respektojnë udhëzimet e autoriteteve dhe të raportojnë çdo emergjencë.
