GJYKATA KUSHTETUESE “I PRET RRUGËN” SPAK-ut: Sekuestrimi i telefonave pa filtër shkel privatësinë

Data

Gjykata Kushtetuese ka vendosur kufij të qartë për mënyrën se si Prokuroria e Posaçme (SPAK) sekuestron dhe kontrollon telefonat celularë gjatë hetimeve penale, duke theksuar se praktika aktuale cenon fshehtësinë e korrespondencës dhe të dhënat personale të qytetarëve.

Në vendimin e saj të zbardhur plotësisht, Kushtetuesja vlerëson se marrja dhe kopjimi pa kriter i të dhënave nga telefonat celularë përbën shkelje të të drejtave themelore, përfshirë privatësinë dhe proporcionalitetin në hetim. Sipas trupës gjykuese, jo çdo informacion i ruajtur në një pajisje personale mund të trajtohet si provë penale.

Gjykata ka urdhëruar SPAK-un që të asgjësojë të gjitha kopjet e korrespondencës dhe të dhënave personale që nuk lidhen drejtpërdrejt me objektin e hetimit penal. Vetëm materialet që kanë lidhje të qartë me çështjen në hetim mund të ruhen dhe përdoren, por gjithmonë nën kontroll gjyqësor dhe me respektim të garancive procedurale.

Po ashtu, SPAK është ngarkuar të zbatojë masa shtesë mbrojtëse për vijimin e mbajtjes nën sekuestro të telefonit celular, duke garantuar që kontrolli të mos shndërrohet në një ndërhyrje të pakufizuar në jetën private të individit. Afati për zbatimin e këtij vendimi është tre muaj nga hyrja në fuqi.

Vendimi është marrë unanimisht nga të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe pritet të ndikojë drejtpërdrejt në mënyrën se si do të procedohet në të ardhmen me sekuestrimin dhe këqyrjen e pajisjeve elektronike nga SPAK, duke vendosur një standard të ri për balancën mes hetimit penal dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related