22 vite nga tragjedia e 9 Janarit / Familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi nga SPAK: Shteti ka mbrojtur fajtorët

Data

Në 22-vjetorin e Tragjedisë së 9 Janarit, familjarët e fëmijëve dhe të rinjve që humbën jetën në këtë ngjarje të rëndë u mblodhën për t’i përkujtuar dhe për të kërkuar drejtësi, e cila sipas tyre ende mungon për jetët e humbura.

Ata shprehen se edhe pas më shumë se dy dekadash, asnjë nga personat përgjegjës nuk është vënë para drejtësisë, ndërsa akuzojnë shtetin se ka mbrojtur fajtorët dhe ka penguar zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Shpresa e familjarëve është përqendruar te Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), por deri më tani, sipas tyre, kjo çështje nuk është marrë në shqyrtim nga ky institucion. Në këtë përvjetor, ata përsëritën apelin publik që SPAK të marrë në hetim dosjen e Tragjedisë së 9 Janarit, me qëllim zbardhjen e plotë të saj dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve.

Më 9 janar 2004, 28 shtetas shqiptarë humbën jetën në ujërat e detit Jon, teksa tentonin të kalonin drejt Italisë me mjete të paligjshme detare. Viktimat ishin kryesisht të rinj nga qarku i Shkodrës, të moshave nga 15 deri në 33 vjeç.

Sipas të dhënave zyrtare, 21 persona u gjetën të pajetë mëngjesin e 10 janarit nga një helikopter i NATO-s së ushtrisë italiane, ndërsa 8 persona rezultojnë ende të zhdukur edhe pas 22 vitesh. Njëmbëdhjetë të tjerë arritën të mbijetojnë.

Familjarët theksojnë se për ta, drejtësia për këtë tragjedi mbetet ende një plagë e hapur dhe kërkojnë që institucionet të mos e lënë më këtë ngjarje në harresë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related