NATO dhe veçanërisht amerikanët duket se i kanë dhënë një “shuplakë” të fortë kryeministrit Edi Rama sa i takon kërkesë së tij që aleanca të investojë në portin e Porto Romanos. Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi pak ditë më parë një vizitë në Komandën Strategjike të NATO-s për Operacionet, ku pati nje takim kokë më kokë me Komandantin Suprem, Gjeneral Cavoli. Në diskutimit me Gjeneral Cavoli, presidenti Begaj ka ripërsëritur kërkesën e kryeministrit Rama që NATO të investojë në portin e Porto Romanos. Por një kërkesë e tillë duket se nuk aprovohet nga NATO, sikundër bënë me dije ish-Zëvendës Komandantin Flotës Detare, Artur Meçollari. Ky i fundit ka reaguar në rrjetet sociale, teksa zbulon çfarë ndodhi në takimin kokë më kokë të presidentit Begaj me Komandantin Suprem Gjeneral Cavoli në Komandën Strategjike të NATO-s për Operacionet në Bruksel dhe pse aleanca është kundër investimit në Portin e portin e Porto Romanos. “Gjithë shteti i përfshirë në korrupsion. Porto Ronano në ngërç, si një projekt korruptiv për të liruar Portin e Durrësit, dhe ky si një projekt akoma më korruptiv. Presidenti paska vajtur deri në Belgjikë, me porosi të KM, të bind gjeneral Cavolis që NATO të investojë në portin e Porto Romanos. Gjeneral Cavolis është shprehur për ketë çështje. Ai qëndron tek Porti historik i Durrësit si nje nyje strategjike e Aleancës dhe Shqipërisë. NATO ka tre vjet që po vlerëson propozimin e Shqipërisë të tetorit të vitit 2019 për Bazën Detare të Pashalimanit, si një bazë e NATO-s. Korrupsioni mund ta ndryshoj mendjen brenda natës, por jo NATO. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltemberg nuk është shprehur asnjëherë në dy vitet e fundit për Porto Romanon edhe pse ka një kërkesë nga Shqipëria. KM Rama më shumë se një herë i ka kërkuar live Stoltemberg të shprehet për investimin e NATO-s në Porto Romano, por ai asnjëherë nuk është deklaruar. Në 23 shkurt 2023 disa media pranë Qeverisë përhapën një disinformacion ku theksonin se katër minsheqëse të NATO-s që kishin ardhur për vizitë në Durrës kishin bërë kërkime për mina në Porto Romano. Operacion që nuk ka ndodhur. Për këtë çështje janë shprehur off-line në takime zyrtare edhe Sekretari i Shtetit të SHBA Blinken, i Dërguari për Ballkanin Escobar dhe i Ngarkuari me Punë i SHBA Wisner. Në shkurt 2023 rreth 46 kompani ndërkombëtare u mblodhën në MIE ku iu prezantua projekti i portit në Porto Romano. Kompanitë u larguan por nuk u kthyen më sepse nuk kishte një studim fizibiliteti. Kundërshtitë e NATO-s dhe BE për këtë projekt nuk krijojnë garanci për një hua europiane. Së fundimi KM ndryshoi skemën e financimit nga buxheti i Shtetit, edhe pse kishte deklaruar që porti në Porto Romano nuk do ndërtohet me paratë e taksapaguesve”, shkruan kolonel Meçollari.
Begaj zbulon detaje nga takimi me Gjeneral Cavoli
Ndërkohë presidenti i Republikës, Bajram Begaj, bëri me dije pak ditë më parë se ka zhvilluar një vizitë në Komandën Strategjike të NATO-s për Operacionet, ku pati nje takim kokë më kokë me Komandantin Suprem, Gjeneral Cavoli. Siguria globale, siguria në rajonin e Ballkanit Perëndimor, roli i Shqipërisë si kontributor në paqen, sigurinë dhe orientimin euroatlantik të rajonit, si edhe fuqizimi i kapaciteteve ushtarake të Shqipërisë dhe kontributi i drejtpërdrejtë në NATO ishin disa nga çështjet ku u fokusuan bisedimet Begaj-Cavoli. “Sot situata e sigurisë është përkeqësuar dhe konflikti në Lindjen e Mesme, si dhe agresioni brutal rus kundër Ukrainës kanë tendencën të përhapen edhe në rajone të tjera. Situata në Ballkanin Perëndimor vijon të jetë e brishtë gjë që na rikujton sesa mund e përpjekje duhet që të mbrohen jo vetëm parimet demokratike, por edhe paqja e siguria e vendeve tona”, u shpreh Presidenti Begaj. Më tej presidenti Begaj e siguroi Gjeneral Cavolin se “Shqipëria do të jetë gjithmonë aty, ku NATO ka nevojë, sikundër e ka dëshmuar me prezencën e saj në misionet dhe operacionet e NATO-s në Afganistan, KFOR (Kosovë), Letoni, Bullgari, Irak. Nga ana tjetër, Presidenti Begaj vlerësoi në veçanti investimin që NATO bëri në Bazën Ajrore të Kuçovës, që u inaugurua vetëm 4 ditë më parë theksoi se “Shqipëria ofron dhe mirëpret angazhimin dhe investimin e NATO-s për të shndërruar portin e Porto Romanos në një bazë detare të saj.”
Çfarë tha Rama gjatë inaugurimit të bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë?
Nga ana tjetër për portin e Porto Romanos ka folur edhe kryeministri Edi Rama. Ky i fundit në fjalën e tij në inaugurimin e bazës taktike ajrore të NATO-s në Kuçovë theksoi këtë 4 mars se po punojnë me NATO-n që së shpejti të mund t’i gëzohen lajmit të përfshirjes së këtij projekti në planet e Aleancës. “‘Falënderim i posaçëm atyre që kontribuuan duke filluar nga aleatët tanë të NATO-s. Me shpresën dhe besimin se kjo bazë e re do të shoqërohet nga baza e re detare e NATO-s në Porto Romane gjë për të cilën po punojmë me NATO-n dhe se shpejti do të mund ti gëzohemi lajmit të përfshirjes së këtij projekti në planet e Aleancës. Falënderim i posaçëm për të gjitha Forcave tona të Armatosura”, deklaroi Rama.

