“Nëse do të ketë një bashkëpunim, duhet propozim konkret” / Hasimja kritik: Problemi i opozitës është besueshmëria

Data

Politologu Ermal Hasimja, i pranishëm në takimin e thirrur nga Sali Berisha me partitë opozitare dhe përfaqësues të shoqërisë civile, u shpreh se problemi kryesor i opozitës në tërësi është mungesa e besueshmërisë te qytetarët.

Sipas Hasimjes, nëse opozita do të gëzonte besueshmëri publike, përballja e saj me qeverinë e Edi Ramës do të ishte shumë më e lehtë. Ai theksoi se ky problem nuk i përket vetëm Partisë Demokratike, por gjithë spektrit opozitar.

Hasimja shprehu kritika të drejtpërdrejta ndaj PD-së, duke deklaruar se nuk është e pranueshme që kjo forcë politike të shfaqet si bashkëpunuese me Partinë Socialiste për ndryshime në Kodin Zgjedhor në dëm të partive të vogla dhe më pas t’i ftojë ato për bashkëpunim kundër qeverisë.

Ai theksoi se bashkëpunimi opozitar duhet të ndërtohet mbi baza konkrete dhe jo deklarata të përgjithshme. “Nëse do të ketë bashkëpunim, ai duhet të mbështetet në propozime konkrete. Së pari, zgjedhje të lira dhe të ndershme. Së dyti, mbrojtje dhe mbështetje e sistemit të drejtësisë,” u shpreh Hasimja.

Sipas tij, institucionet e drejtësisë janë aktualisht ndër më të besueshmet për qytetarët, ndërsa PD ka pasur luhatje në qëndrimin ndaj tyre, megjithëse kohët e fundit është vërejtur një qasje më pozitive.

Hasimja theksoi gjithashtu rëndësinë e partive të vogla dhe votave të tyre, duke argumentuar se një pjesë e mirë e këtyre votave vjen nga elektorati i majtë i zhgënjyer dhe nuk do të kalonte automatikisht te e djathta.

Në fund, ai nënvizoi se Partia Demokratike duhet të tregojë një nivel më të lartë besueshmërie dhe parimor, duke rishikuar qëndrimin e saj për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, nëse synon një bashkëpunim real dhe të sinqertë me forcat e tjera opozitare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related