Kreu i zyrës së komunikimit në Partinë Demokratike, Alfred Lela, ka reaguar lidhur me përjashtimet e fundit të dy këshilltarëve bashkiakë në Durrës, duke i cilësuar ato si rezultat i një analize të brendshme të partisë.
Gjatë një interviste televizive, Lela u shpreh se vendimi është marrë nga dega e PD-së në Durrës, në bashkëpunim me përfaqësues të dërguar nga qendra, pas një analize të detajuar të zgjedhjeve të 11 majit.
Sipas tij, gjatë këtij procesi është konstatuar se disa individë janë vetëshkëputur nga struktura e partisë dhe, sipas vlerësimeve të bëra, kanë kontribuar në favor të Partisë Socialiste gjatë procesit zgjedhor.
“Dega e PD në Durrës ka evidentuar individë që kanë punuar për PS-në në zgjedhjet e 11 majit,” deklaroi Lela.
Ai theksoi se këto vendime synojnë forcimin e strukturave të Partisë Demokratike dhe garantimin e një funksionimi më të disiplinuar dhe të qëndrueshëm të saj në nivel lokal.
