“Të mblidhet menjëherë Këshilli i Mandateve” – Bardhi: Çdo ditë në liri e Ballukut rrezikon provat dhe intimidon dëshmitarët

Data

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kërkuar mbledhjen urgjente të Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Në deklaratën e tij, Bardhi u shpreh se çdo vonesë në marrjen e një vendimi përbën rrezik serioz për procesin hetimor. Sipas tij, çdo ditë që Balluku qëndron e lirë nënkupton mundësi për prishje të provave dhe intimidim të dëshmitarëve.

Ai dënoi ashpër veprimin e kryetarit të Kuvendit, i cili gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Mandateve, shtyu shqyrtimin e kërkesës së SPAK pa caktuar një afat të ri për mbledhjen.

“Si në asnjë rast tjetër, mbledhja u shty pa afat. Ky është një akt politik, i urdhëruar nga Edi Rama, për të mbrojtur korrupsionin e tij, të zëvendëskryeministres dhe të qeverisë”, deklaroi Bardhi.

Sipas tij, opozita ka kërkuar me forcë që Këshilli i Mandateve të mblidhet sa më parë, madje brenda një ore, për të miratuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.

“Çdo ditë në liri e Belinda Ballukut nënkupton prishje të provave dhe intimidim të dëshmitarëve”, theksoi Bardhi, duke e cilësuar çështjen si urgjente dhe duke akuzuar mazhorancën për zvarritje të qëllimshme të procesit.

Debati rreth kërkesës së SPAK për arrestimin e zëvendëskryeministres pritet të vijojë me përplasje të forta politike, ndërsa presioni për thirrjen e Këshillit të Mandateve po rritet.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related