Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” shënon dhjetëvjetorin e hapjes publike më 9 maj, në një vit simbolik për historinë e imazhit – 200 vjet nga lindja e fotografisë. Ky përvjetor përfaqëson një moment reflektimi mbi rolin e fotografisë si formë dokumentimi dhe mbi muzeun si institucion që lidh kujtesën me të tashmen.
I themeluar për të ruajtur dhe studiuar arkivin e dinastisë Marubi dhe fotografëve të tjerë shkodranë, muzeu zotëron një nga koleksionet më të rëndësishme fotografike në Ballkan. Përmes mijëra negativëve dhe dokumenteve, arkivi pasqyron transformimet shoqërore, politike dhe kulturore të Shqipërisë ndër dekada.
Në themel të kësaj trashëgimie qëndron Pietro Marubi, i cili solli fotografinë në Shqipëri si një mënyrë të re të të parëit dhe të dokumentimit të realitetit. Me hapjen e muzeut, arkivi kaloi nga një hapësirë e mbyllur ruajtjeje në një institucion të hapur për publikun, ku fotografia interpretohet dhe vendoset në dialog me kohën moderne.
Gjatë këtyre dhjetë viteve, muzeu ka organizuar ekspozita kuratoriale, programe edukative, botime dhe projekte kërkimore, duke kontribuar në rritjen e kulturës vizuale dhe në rivlerësimin e trashëgimisë fotografike shqiptare.
Sot, “Marubi” mbetet një pikë referimi për historinë e imazhit në Shqipëri dhe një hapësirë ku fotografia trajtohet jo vetëm si dokument, por si dëshmi e gjallë e kujtesës kolektive.
