Ndarja e bujshme e moderatores Neda Balluku nga bashkëshorti i saj Orgen Balluku, vëllai i zv/kryeministres Belinda Balluku, vijon të jetë në qendër të vëmendjes publike, teksa dalin në dritë detaje të reja nga përplasja mes tyre, e cila ka përfunduar në dyert e drejtësisë.
Më 16 janar 2026, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë lëshoi urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje në favor të Neda Ballukut, për shkak të dhunës së pretenduar nga bashkëshorti i saj.
Vetëm pak ditë më pas, ishte vetë Orgen Balluku ai që kërkoi urdhër mbrojtjeje, duke pretenduar se ishte subjekt i dhunës së vazhdueshme verbale, psikologjike dhe herë pas here edhe fizike nga bashkëshortja.
Në dëshminë e dhënë para Gjykatës së Tiranës, Orgen Balluku pretendon se është ofenduar rëndë me fjalë si “ordiner, kafshë, kriminel dhe hajdut”, ndërsa shton se është kërcënuar edhe me shprehje të rënda si: “Do të bëj të vrasësh veten, do prekësh fundin, mos gjetsh varr”.
Ai pohon gjithashtu se ndihet i përndjekur dhe i survejuar, duke pretenduar se Neda Balluku ka hapur kamerat e supermarketeve për të ndjekur lëvizjet e tij dhe të fëmijëve, si edhe ka paraqitur prova në gjykatë që, sipas tij, dëshmojnë përgjuarjen e banesës së tij.
Dëshmia e Orgen Ballukut:
“Kam pasur shqetësime të vazhdueshme nga bashkëshortja ime Neda Balluku dhe kam kërkuar të pajisem me urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje për vete dhe djalin tim. Jam dhunuar verbalisht me fjalët më të ulëta që mund t’i thuhen një njeriu. Jam kërcënuar rëndë dhe ndihem i përgjuar në banesë. Dy djemtë e mi janë përballur me dhunë psikologjike edhe në ambientet e shkollës.”
Megjithatë, Gjykata e Tiranës vendosi rrëzimin e kërkesës së Orgen Ballukut, duke mos pranuar lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes ndaj Neda Ballukut.
Nga ana tjetër, Neda Balluku pretendon se ish-bashkëshorti e pengon në mënyrë të paligjshme të takojë fëmijët, e nxjerr nga banesa dhe e ofendon në sy të tyre, duke i manipuluar kundër saj.
Dëshmia e Neda Ballukut:
“Unë nuk e kam kërcënuar apo dhunuar fizikisht apo psikologjikisht Orgen Ballukun. Kam shkuar në shkollë për të takuar fëmijët sipas vendimit të gjykatës, por nuk jam lejuar. Ai më ofendon dhe më denigron në sy të fëmijëve. Kam bërë kallëzime dhe kam marrë urdhër mbrojtjeje sepse nuk më lejonte të takoja vajzën sipas vendimit të gjykatës.”
Sipas saj, kërkesa e ish-bashkëshortit për urdhër mbrojtjeje është bërë si kundërpeshë ndaj vendimit të marrë më herët në favor të saj dhe si tentativë për të penguar zbatimin e vendimeve gjyqësore për takimin me fëmijët.
