Socialistët dolën dje kundër dekretit të Presidentit Bajram Begaj, që 2 javë më parë, me një listë argumentesh kundër ligjit për inspektimet e ktheu për rishqyrtim në Kuvend. Refuzimin e dekretit të Begajt, i cili argumentonte se ligji i miratuar shkaktonte konfuzion, paqartësi dhe pasiguri, në Komisionin e Ligjeve e argumentuan me faktin se iniciativa ligjore vjen në kuadër të kërkesave të Bashkimit Evropian. “Është nismë ligjore në kuadër edhe të kërkesave të BE, dhe na duhet për të përfituar nga plani i rritjes”, deklaroi kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka. Por përfaqësuesi i Presidentit, Ilir Rusmajli sërish deklaroi se krahas paqartësisë, ky është një ligj i rrezikshëm që prek të paktën 69 ligje të tjera.
“Ky ligj është i rrezikshëm sepse prek 69 ligje të tjera”, shprehet Ilir Rusmajli. Në mbështetje të Presidentit, doli i vetmi deputet i opozitës i pranishëm në Komision, Enkelejd Alibeaj që theksoi se përmes këtij dekreti, Begaj mbrojti me elegancë Kushtetutën. “Ka gjetur kurajën profesionale politike dhe profesionale për ta kthyer ligjin. Presidenti sjellë një dekret të tillë, me elegancë për të mbrojtur kushtetues, nuk duhet që me një të rënë të lapsit ta lini presidentin në autobus. Tregojuni njerëzve që atë që e zgjodhët si prift, mos ja prisni mjekrën. Presidenti ka thënë një gjë fare të thjeshtë që cenohet siguria juridike, që biznesi të mos rrijë të mendoj sa herë do ndryshojnë ligjet”, thotë Enkelejd Alibeaj. Ligji për inspektimin parashikon reformimin e inspektorateve, duke i shkrirë ata në 8 në total si dhe synon të ulë ndjeshëm vizitat e papritura të inspektorëve në dyert e bizneseve.
Detajet
Ndërkohë kujtojmë se në drejtimin e kryetares Klotilda Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, shqyrtoi dy projektligje dhe Dekretin e Presidentit nr. 357 “Për kthimin e ligjit “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë””. Të ftuar për shqyrtimin e Dekretit në mbledhjen e komisionit ishin: ministja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, Shkëlqim Hajdari – kryeinspektor i Inspektoratit Qendror, Ilirjan Rusmali – Këshilltar i Presidentit, Valbona Lusha – Sekretare e Përgjithshme e Presidencës, etj. Fillimisht Ibrahimaj parashtroi se, Presidenti nuk ka pasur kundërshtime me thelbin e projektligjit dhe theksoi rëndësinë e projektligjit, me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit.
“Ky ligj përmirëson ndjeshëm proceset e inspektimit që janë një nga problematikat kryesore që biznesi shfaq në kryerjen e aktivitetit të tij. Ligji synon uljen e burokracive, reduktimin e kontaktit ndërmjet institucioneve publike dhe biznesit, numrit të inspektimeve, etj”, u shpreh Ibrahimaj. Më pas Ilir Rusmali, këshilltar ligjor i Presidentit, paraqiti argumentet që çuan në mosdekretimin e ligjit të miratuar nga Kuvendi, duke nënvizuar ndër të tjera se bashkimi mekanik i të paktën dy ligjeve të mëdha, sjell pasoja në zbatim të ligjit. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni rrëzoi Dekretin e Presidentit dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare. Mbledhja vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr. 9693, datë 19.3.2007 “Për fondin kullosor”, i ndryshuar”, nismë e depozituar nga deputetja Edona Bilali. Të ftuar për të dhënë mendim për nismën ishte Sofjan Jaupaj, zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit, si dhe stafi teknik i MTM-së.
Bilali në cilësinë e nismëtares paraqiti risitë dhe ndryshimet e propozuara, që lidhen kryesisht me dhënien në përdorim të sipërfaqeve të caktuara dhe tokave të fondit kullosor kombëtar, për të zhvilluar në to veprimtari shoqërore, shëndetësore, sportive e turistike dhe për prodhimin e energjisë së rinovueshme, por duke iu përmbajtur disa kritereve si: mbrojtja e mjedisit, rehabilitimi i sipërfaqes së marrë në përdorim, etj. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.
