Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë kanë njoftuar vendosjen e një sërë kufizimesh udhëtimi për personat që vijnë nga zonat afrikane të prekura nga epidemia e Ebolës, në prag të zhvillimit të FIFA World Cup.
Në një deklaratë të përbashkët, tre vendet organizatore theksuan se “shëndeti dhe siguria e çdo personi mbetet përparësia kryesore”, ndërsa po përgatiten të presin vizitorë nga e gjithë bota.
Masat vijnë pas paralajmërimit të bërë më 17 maj nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila njoftoi se shpërthimi i Ebolës në Republika Demokratike e Kongos mund të përhapet në vendet fqinje.
Javën e kaluar, SHBA ndaloi hyrjen për shtetasit jo-amerikanë që kishin udhëtuar së fundmi në Republikën Demokratike të Kongos, Ugandë ose Sudani i Jugut.
Më pas, autoritetet amerikane zgjeruan kufizimet edhe për mbajtësit e kartës së gjelbër që kanë qenë në këto vende gjatë 21 ditëve të fundit.
Ndërkohë, Kanadaja ka vendosur ndalim hyrjeje për 90 ditë për personat që banojnë në vendet e prekura nga epidemia, ndërsa qytetarët kanadezë dhe rezidentët e përhershëm do t’i nënshtrohen një karantine 21-ditore nëse kanë udhëtuar në këto zona dhe nuk shfaqin simptoma.
Edhe Meksika ka marrë masa të ngjashme, duke vendosur karantinë 21-ditore për udhëtarët që mbërrijnë me avion nga rajonet e prekura, si dhe duke shtuar kontrollet në aeroporte.
Autoritetet meksikane u kanë bërë gjithashtu thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet drejt Republikës Demokratike të Kongos.
Nga ana tjetër, kreu i agjencisë shëndetësore të Africa CDC, Jean Casey, deklaroi se një vaksinë për variantin Budibugio të virusit Ebola pritet të jetë gati deri në fund të vitit.
“Ajo për të cilën jemi të sigurt është se deri në fund të vitit do të kemi vaksina dhe trajtim për Budibugio-n”, tha ai gjatë një konference online.
Aktualisht, për shkak të mungesës së një vaksine dhe trajtimi specifik për këtë variant të virusit, masat parandaluese mbështeten kryesisht në identifikimin e shpejtë të rasteve të dyshuara, kontrollet kufitare dhe respektimin e protokolleve shëndetësore.
