Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për korrupsion, manipulim dhe lidhje me krimin e organizuar. Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se mbështet çdo prokuror dhe gjyqtar që zbaton ligjin dhe vepron i pavarur nga presioni politik.
Një vëmendje të veçantë ai i kushtoi çështjes së imunitetit të ministres Belinda Balluku, për të cilën tha se kryeministri refuzon ta dorëzojë, jo për arsye politike, por nga frika për fatin e tij personal.
“Rama e ka kuptuar se kërkesat për Ballukun janë kërkesa për Ramën. Prandaj nuk e dorëzon. Ai është i frikësuar”, deklaroi Berisha.
Ai përdori tone të forta edhe ndaj figurave që, sipas tij, janë të përfshira në afera të rënda, duke theksuar se asnjë person nuk mund të shpëtojë nga veprimi i ligjit. Sipas Berishës, përgjegjësia për çdo veprim kriminal në qeveri përfundon tek kryeministri.
“Palloshi i gjatë qëndron edhe 12 vite në pushtet nëse e lejojmë ne. Qëndrimi ose mosqëndrimi i tij përcaktohet nga reagimi ynë si opozitë. Do të ngrihemi dhe do të kemi mbështetje edhe më të madhe”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Berisha u ndal edhe te ajo që e cilësoi si manipulim të qëllimshëm të opinionit publik ndër vite, duke përmendur raste të vjetra të përdorura nga kryeministri për ndërtimin e narrativave politike. Ai tha se ndërsa në të kaluarën janë manipuluar fakte dhe video, sot, sipas tij, ekzistojnë dokumente zyrtare, firma dhe vula që provojnë abuzime financiare masive nga qeveria aktuale.
Berisha theksoi gjithashtu se zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 u konsideruan nga raportet ndërkombëtare si zgjedhje që plotësonin kriteret kryesore demokratike, ndërsa zgjedhjet e 11 majit 2025 i cilësoi si një “farsë elektorale”.
Sipas tij, të gjitha këto përbëjnë arsye ligjore, kombëtare dhe ndërkombëtare që opozita të mobilizohet maksimalisht për rrëzimin e qeverisë aktuale, krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja.
