Gjykata caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për shtatë të miturit e arrestuar gjatë protestës së opozitës, ndërsa pas vendimit reagoi Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka.
Në një deklaratë për mediat, Noka akuzoi policinë për dhunë fizike dhe presion ndaj të rinjve gjatë qëndrimit në komisariat. Sipas tij, të miturit kanë pohuar në sallën e gjyqit se janë trajtuar në mënyrë çnjerëzore, duke e cilësuar situatën si të papranueshme për një vend demokratik.
Ai ngriti shqetësimin edhe për praninë e një psikologu që, sipas tij, rezultonte punonjës policie, çka e konsideroi shkelje të rëndë të standardeve ligjore për trajtimin e të miturve. Noka paralajmëroi reagim politik në protestën e radhës, duke e cilësuar ngjarjen si tejkalim të kompetencave nga ana e uniformave blu.
Nga ana tjetër, avokatja Eda Grimci deklaroi se të miturit kanë dhënë deklarime pa praninë e prindërve dhe nën presion për t’u paraqitur si pjesë e një grupi të strukturuar. Sipas saj, arrestimet janë kryer në mbrëmje, por në dokumentacion janë pasqyruar si të ndodhura në mesnatë, me qëllim zgjatjen e ndalimit.
Përfaqësuesit e opozitës kërkojnë hetim të plotë mbi procedurat e ndjekura dhe trajtimin e të miturve gjatë arrestimit dhe qëndrimit në komisariat.
