Rama flet nga Tivati për Zvërnecin: Nuk ka projekt të miratuar, pas protestave shoh elementë të luftës hibride

Data

Kryeministri Edi Rama reagoi nga Mali i Zi për debatet dhe protestat që po zhvillohen në Shqipëri lidhur me projektin e diskutuar në Zvërnec. Gjatë mbërritjes në Samitin BE–Ballkani Perëndimor në Tivat, kreu i qeverisë u pyet nga gazetarët për kundërshtimet e qytetarëve dhe akuzat që janë ngritur ndaj projektit.

Rama deklaroi se aktualisht nuk ekziston asnjë projekt i miratuar dhe për këtë arsye, sipas tij, nuk ka vend për shqetësime apo debate të nxituara. Ai theksoi se çdo diskutim duhet të bazohet mbi fakte konkrete dhe jo mbi pretendime apo interpretime paraprake.

Sipas kryeministrit, ideja që po shqyrtohet synon të sjellë një vepër unike arkitekturore dhe një vlerë të shtuar për Shqipërinë, ndërsa vendimmarrja do të bëhet vetëm pasi të ekzistojë një projekt zyrtar për t’u shqyrtuar.

Duke komentuar protestat e ditëve të fundit, Rama tha se ato nuk lidhen me çështje mjedisore, por i cilësoi si pjesë të një fushate që, sipas tij, mbart elementë të asaj që ai e quajti “luftë hibride”. Kryeministri pretendoi se pas këtyre lëvizjeve qëndrojnë aktorë të jashtëm që kanë qenë të përfshirë edhe më herët në veprime të ngjashme kundër Shqipërisë.

Kreu i qeverisë hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se projekti në Zvërnec është ai që është paraqitur në publik, duke deklaruar se qytetarëve u janë servirur materiale dhe video që nuk përfaqësojnë projektin real. Sipas tij, shumë nga informacionet që po qarkullojnë janë të pavërteta dhe synojnë të krijojnë konfuzion në opinionin publik.

Debati për Zvërnecin ka dominuar ditët e fundit skenën politike dhe publike në vend, ndërsa protesta të njëpasnjëshme janë zhvilluar në Tiranë me kërkesën për transparencë dhe anulimin e projektit të kundërshtuar nga aktivistë dhe qytetarë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related