Debati i fundit për rrogat e gjyqtarëve ka nxjerrë në pah një realitet të fortë politik, ku mazhoranca dhe opozita, ndonëse në dukje në përplasje, rezultojnë në të njëjtën linjë qëndrimi. Kështu u shpreh gazetari Artan Hoxha, gjatë një analize televizive, duke theksuar se Sali Berisha dhe Edi Rama kanë mbajtur pothuajse të njëjtin qëndrim për mënyrën se si përcaktohet piramida e pagave në sistemin e drejtësisë.
Sipas Hoxhës, vetë Berisha e ka pranuar publikisht se vendosja e pagave është ekskluzivitet i qeverisë, duke u rreshtuar kështu në të njëjtin argument që përdor kryeministri Rama. Por paradoksi, sipas gazetarit, qëndron te fakti se është pikërisht Rama ai që e ka përmbysur piramidën e pagave me vendime të posaçme, duke vendosur paga shumë më të larta për gjyqtarët e GJKKO-së dhe prokurorët e SPAK-ut, krahasuar me kreun e shtetit.
“Kjo përmbysje e piramidës nuk ndodhi rastësisht. U bë me vendime politike dhe sot po përdoret si argument për konflikt artificial,” u shpreh Hoxha, duke shtuar se debati për rrogat është në fakt një çështje dytësore krahasuar me problemet reale të sistemit të drejtësisë.
Sipas tij, Rama nuk e ka hallin te kursimi i disa dhjetëra milionë eurove nga buxheti i shtetit, por po përpiqet të zhvendosë vëmendjen nga krizat reale që ka prodhuar reforma në drejtësi. “Nëse mendojmë se kjo është çështje buxheti, jemi shumë larg së vërtetës. Këtu kemi të bëjmë me kontroll politik dhe me frikë nga një sistem drejtësie që mund të dalë jashtë kontrollit,” theksoi gazetari.
Hoxha u ndal edhe te gjendja alarmante e sistemit të drejtësisë, duke vënë në dukje se problemet nuk kufizohen vetëm te SPAK apo Gjykata e Posaçme. Sipas tij, sistemi në tërësi është në kolaps: mungesë e theksuar gjyqtarësh dhe prokurorësh, stok dosjesh i shumëfishuar dhe qytetarë që presin me vite për një vendim gjyqësor.
“Ne sot jemi në pikën që duhet të pyesim veten: a kemi drejtësi? Jo në teori, por në praktikë. Në qytetet e vogla, njerëzit nuk kanë gjyqtar, nuk kanë prokuror, nuk kanë ku të ankohen. Për ta, drejtësia nuk është SPAK-u në Tiranë, por halli i përditshëm që mbetet pa zgjidhje,” u shpreh Hoxha.
Gazetari kritikoi ashpër edhe mungesën e rezultateve konkrete të reformës në drejtësi, duke theksuar se pavarësisht zhurmës mediatike dhe arrestimeve, mungojnë vendimet përfundimtare dhe konfiskimet reale të pasurive të zyrtarëve të lartë të korruptuar. Sipas tij, deri tani goditjet më të mëdha kanë qenë kryesisht ndaj krimit të organizuar, ndërsa pasuritë e politikanëve dhe funksionarëve të nivelit të lartë kanë mbetur të paprekura.
“Drejtësia matet me rezultate, jo me konferenca shtypi. Pyetja është: sa pasuri janë konfiskuar nga korrupsioni i nivelit të lartë? Ku janë paratë? A janë kthyer te qytetarët? Këtu drejtësia çalon rëndë,” përfundoi Hoxha.
Sipas tij, pa rezultate konkrete dhe pa ndëshkim real për korrupsionin politik, reforma në drejtësi rrezikon të mbetet një proces me rezultate të pjesshme, i përdorur më shumë si instrument propagande sesa si mekanizëm real për vendosjen e shtetit ligjor.
