Paketa fiskale kalon me votat e PS-së/ Tabaku: Amnisti e maskuar që dëmton rëndë sistemin fiskal, do ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese

Data

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas miratimit në Kuvend të buxhetit dhe paketës fiskale, të cilat u votuan vetëm me votat e shumicës socialiste. Ajo e cilësoi paketën si një amnisti fiskale të fshehur, të shpërndarë në disa ligje dhe të ndërtuar për interesat e një pakice.

Në një reagim publik, Tabaku tha se qeveria ka shmangur termin “amnisti fiskale”, duke e kamufluar atë përmes dy ligjeve: ligjit për shlyerjen e detyrimeve dhe marrëveshjes së ashtuquajtur “paqja fiskale”. Sipas saj, këto ligje i hapin rrugë paligjshmërisë dhe krijojnë një precedent të rrezikshëm për ekonominë dhe shtetin ligjor.

Deputetja theksoi se përmes këtyre akteve ligjore, subjekte të caktuara përfitojnë mundësinë të rideklarojnë fitimet e së shkuarës, të pastrojnë detyrime tatimore dhe të shmangin përgjegjësitë ndaj shtetit, duke u vendosur në një pozitë privilegjuese krahasuar me bizneset që kanë respektuar ligjin ndër vite.

Tabaku u ndal edhe te mungesa e transparencës, duke deklaruar se opozita ka kërkuar prej muajsh nga Ministria e Financave publikimin e listës së përfituesve, si dhe të subjekteve që do të përfshihen në marrëveshjet e “paqes fiskale”, por këto kërkesa janë injoruar.

“Kemi të bëjmë me një ligj të lobuar dhe të sponsorizuar për interesa të ngushta. Nuk është një ligj për shumicën e qytetarëve dhe bizneseve të ndershme, por për një pakicë që përfiton nga mungesa e barazisë fiskale,” u shpreh ajo.

Sipas Tabakut, kjo paketë fiskale vendos mina nën themelet e sistemit fiskal shqiptar, duke minuar besimin te ligji dhe duke inkurajuar shkeljet në vend të korrektësisë tatimore.

Në përfundim, deputetja demokrate paralajmëroi se opozita do ta ndjekë çështjen edhe në rrugë institucionale, duke theksuar se paketa fiskale pritet të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese, ku do të sfidohet për shkelje të parimeve themelore të barazisë dhe drejtësisë fiskale.

“Në bindjen time, ky ligj do të jetë jetëshkurtër dhe do të përballet me drejtësinë kushtetuese,” përfundoi Tabaku.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related