Një konflikt i dhunshëm ka ndodhur mes disa nxënësve të një gjimnazi në qytetin e Shkodrës, ku për pasojë dy të rinj 18-vjeçarë kanë mbetur të dëmtuar dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore.
Ngjarja është regjistruar në afërsi të tregut të Zadrales dhe shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja, ku disa nxënës janë përfshirë në një sherr fizik, rrethanat e të cilit mbeten ende të paqarta.
Dy të dëmtuarit janë dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës, ku po marrin mjekim dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka ndërhyrë menjëherë në vendngjarje dhe ka identifikuar autorët e përfshirë në konflikt, ndërsa po vijojnë veprimet hetimore për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e plota të ngjarjes.
Materialet pritet t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
