Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është paraqitur në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) në kuadër të seancës paraprake, ku përmes avokatit të tij ka depozituar një kërkesë për revokimin e vendimit të ndërmjetëm të dhënë nga gjykata më 2 dhjetor 2025.
Në kërkesën zyrtare, Veliaj kërkon heqjen e masës së vendosjes në kafaz gjatë seancave gjyqësore, duke e konsideruar atë një praktikë poshtëruese dhe në kundërshtim me standardet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Po ashtu, kryebashkiaku kërkon që t’i vihen në dispozicion të gjitha aktet e dosjes, në një formë të lexueshme dhe të aksesueshme, duke theksuar se dosja përmban rreth 60 mijë faqe materiale, ose rreth 21 GB në format elektronik. Sipas mbrojtjes, njohja personale dhe e plotë me këto materiale është thelbësore për garantimin e një mbrojtjeje efektive.
Veliaj ka kërkuar gjithashtu shtyrjen e procedurës, deri në momentin kur këto të drejta të garantohen plotësisht, duke argumentuar se një proces i drejtë nuk mund të vazhdojë pa respektimin e tyre.
Në kërkesë theksohet se GJKKO ka aplikuar një standard të ndryshëm nga praktika e mëparshme në raste të ngjashme, ku të pandehurve u është lejuar njohja personale me aktet e çështjes. Mbrojtja citon edhe raste konkrete, ku e njëjta gjykatë ka pranuar kërkesa të ngjashme për të pandehur të tjerë.
Sipas avokatit të Veliajt, fakti që dosja është vënë në dispozicion vetëm të mbrojtësit ligjor nuk përmbush kërkesat e Kodit të Procedurës Penale, i cili parashikon qartë se edhe vetë i pandehuri ka të drejtë të njihet personalisht me aktet dhe të marrë kopje të tyre.
“Qëllimi i kësaj kërkese nuk është zvarritja e procesit, por garantimi i të drejtës kushtetuese të mbrojtjes”, thuhet në dokument, ku nënvizohet se refuzimi i kësaj të drejte e kthen të pandehurin në një subjekt pasiv të procesit penal.
Gjykata pritet të shprehet mbi kërkesën për revokimin e vendimit të ndërmjetëm dhe mbi pretendimet e ngritura nga mbrojtja e kryebashkiakut.
