Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-oficerin e Policisë Gjyqësore, Igli Haxhiaj, i akuzuar për shpërdorim detyre, nxjerrje të sekretit hetimor dhe korrupsion.
Sipas SPAK, Haxhiaj ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në burg” që prej 27 nëntorit 2025. Hetimet ndaj tij lidhen me një dosje ndërkombëtare për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal, të zhvilluara në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe zvicerane, në kuadër të një Skuadre të Përbashkët Hetimore me Prokurorinë Antimafia të Breshias dhe Prokurorinë Federale të Zvicrës.
Sipas dosjes hetimore, grupi kriminal i përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë operonte mes Shqipërisë dhe Italisë, duke trafikuar sasi të mëdha droge nga Amerika e Jugut drejt porteve të Europës Veriore dhe më pas në Itali.
SPAK pretendon se, gjatë kohës që ishte pjesë e grupit hetimor, Igli Haxhiaj ka zbuluar informacione sekrete për një person nën hetim me inicialet D.M. Sipas hetimeve, ai e kishte paralajmëruar për përgjimet telefonike dhe vëzhgimet që po kryheshin ndaj tij, duke i dhënë edhe detaje nga aktet sekrete të procedimit penal.
“Nga hetimet paraprake është provuar se i pandehuri Igli Haxhiaj i ka zbuluar shtetasit D.M. faktin se ky i fundit ka qenë objekt i hetimeve të këtij procedimi penal si edhe i veprimeve që lidhen me përgjimin telefonik dhe vëzhgimin në vende publike”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, komunikimet mes Haxhiajt dhe anëtarit të dyshuar të grupit kriminal janë zhvilluar përmes platformës së enkriptuar SKY ECC, ku ish-oficeri dyshohet se kërkonte përfitime monetare në këmbim të informacionit sekret. Në dosje përmendet edhe një shumë prej 15 mijë eurosh.
Hetuesit pretendojnë gjithashtu se nga bisedat e zbardhura rezulton që Haxhiaj diskutonte për trafikimin e lëndëve narkotike, çmimet dhe shitblerjen e tyre, ndërsa nuk kishte raportuar informacionet kriminale tek autoritetet kompetente, megjithëse kishte detyrim ligjor për ta bërë këtë.
SPAK i konsideron këto veprime si elementë të veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të drejtësisë”.
