“Pak ditë shi dhe Durrësi përmbytet”/ Vangjeli: Emirjana Sako të japë menjëherë dorëheqjen

Data

Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, ka denoncuar ashpër situatën e krijuar në qytetin e Durrësit pas reshjeve të fundit të shiut, duke e cilësuar gjendjen si pasojë direkte të keqmenaxhimit dhe korrupsionit në Bashkinë Durrës.

Sipas saj, mjaftojnë pak ditë me shi që lagje të tëra të qytetit të përmbyten, me ujë që futet në oborre e banesa, ndërsa rrugët kthehen në lumenj ku qarkullimi bëhet i pamundur. Vangjeli thekson se kjo nuk është një fatkeqësi natyrore, por rezultat i drejtpërdrejtë i dështimit të institucioneve vendore për mirëmbajtjen e infrastrukturës së kanalizimeve.

Në deklaratën e saj, ajo akuzon kryebashkiaken Emirjana Sako dhe Shoqërinë Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Durrës për papërgjegjshmëri të vazhdueshme, duke shtuar se përmbytjet janë bërë fenomen i përsëritur, ndërsa dëmet për qytetarët shtohen nga viti në vit pa asnjë mbajtje përgjegjësie.

Sipas PD-së, paralelisht me këtë situatë dramatike për qytetarët, UK Durrës vijon të shpërndajë fonde publike përmes tenderëve klientelistë. Vangjeli denoncon se së fundmi është shpallur fituese një kompani e lidhur drejtpërdrejt me familjarë të kryebashkiakes, në një procedurë ku ka pasur vetëm një ofertë dhe vlera fituese ka arritur pothuajse 98% të fondit limit, rreth 11.6 milionë lekë.

Ajo thekson se këto para mund të ishin përdorur për pastrimin dhe përmirësimin e kanalizimeve, ndihmën për familjet e përmbytura dhe parandalimin e situatave të tilla në të ardhmen, por në vend të kësaj përfundojnë, sipas saj, në xhepat e familjarëve të pushtetit lokal.

“Durrësi nuk mbytet nga shiu, por nga korrupsioni”, deklaron Vangjeli, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Emirjana Sakos dhe nisjen e hetimeve nga organet e drejtësisë për çdo shkelje të ligjit. Ajo thekson se heshtja përballë kësaj situate është bashkëfajësi dhe se qytetarët e Durrësit meritojnë zgjidhje reale, jo justifikime politike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related