“Bota dëgjoi zërin tuaj, mos u dorëzoni”/ Eva Buzo i bashkohet protestës në Tiranë dhe bën thirrje për angazhim qytetar

Data

Protestës qytetare të zhvilluar këtë mbrëmje para Kryeministrisë iu bashkua edhe Eva Buzo, e cila shprehu mbështetjen e saj për pjesëmarrësit dhe i inkurajoi ata të vijojnë angazhimin qytetar.

Në fjalën e saj para protestuesve, Buzo theksoi se jehona e zhvillimeve të fundit ka kaluar kufijtë e Shqipërisë dhe ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare.

“Bota dëgjoi zërin tuaj, mos u dorëzoni. Kërkoni qeverinë që meritoni”, u shpreh ajo para turmës së mbledhur në bulevard.

Prania e avokates shqiptaro-australiane u prit me duartrokitje nga pjesëmarrësit, ndërsa organizatorët e protestës e cilësuan mbështetjen e figurave të njohura të diasporës si një tregues të interesit në rritje për zhvillimet që po ndodhin në Shqipëri.

Gjatë tubimit kanë vijuar thirrjet kundër qeverisë, ndërsa protestuesit kanë artikuluar kritika për korrupsionin, keqqeverisjen dhe projektin e zhvillimit në zonën e Zvërnecit, i cili ka qenë në qendër të debatit publik javët e fundit.

Protesta, që ka hyrë në ditën e nëntë, ka mbledhur qytetarë nga qytete të ndryshme të vendit dhe përfaqësues të diasporës shqiptare, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar një tubim mbarëkombëtar në ditët në vijim nën moton “Atdheu nuk është në shitje”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related