Vrasja e Jani Aliajt në burgun e sigurisë së lartë / Media greke: I shpëtoi atentatit disa muaj më parë

Data

Zbardhen detaje të reja lidhur me vrasjen e Jani Aliajt, e ndodhur një ditë më parë në burgun e sigurisë së lartë Korydallos në Greqi. Mediat greke rikthejnë në vëmendje profilin e viktimës, e cila konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë dhe ndaj së cilës, sipas burimeve hetimore, ekzistonte prej kohësh një “urdhër vdekjeje”.

Sipas raportimeve, 49-vjeçari kishte shpëtuar për mrekulli nga një atentat i ngjashëm rreth gjashtë muaj më parë, po brenda të njëjtit institucion penitenciar. Megjithatë, këtë herë sulmi rezultoi fatal.

Ngjarja e rëndë ndodhi kur një i burgosur grek 27-vjeçar, gjithashtu i cilësuar si shumë i rrezikshëm, hyri në qelinë e tij dhe e goditi disa herë me thikë. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme, Aliaj humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.

Viktima ishte arratisur vite më parë nga burgu i Korfuzit, pasi kishte përfituar leje dhe nuk ishte rikthyer më. Ai u arrestua pas rreth nëntë vitesh në kërkim dhe prej asaj kohe mbahej sërish në burg.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se kishte informacione të vazhdueshme për kërcënime serioze ndaj jetës së tij, ndërsa rivalë të botës së krimit dyshohet se kishin porositur eliminimin e tij. Për këtë arsye, disa muaj më parë ai ishte vendosur nën regjim të veçantë mbrojtjeje dhe mbahej në një qeli të përbashkët me një ish-oficer policie të akuzuar për trafik droge.

Megjithatë, masat e sigurisë nuk rezultuan të mjaftueshme. Autoritetet greke kanë nisur një hetim të plotë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, si dhe për të verifikuar dështimin e protokolleve të sigurisë brenda një prej burgjeve më të ruajtura të vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related