Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka ngritur akuza të forta ndaj qeverisë dhe sistemit të drejtësisë, duke deklaruar se Shqipëria po përballet me një krizë të thellë të shtetit ligjor dhe me rreziqe serioze për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
E ftuar në një emision televiziv, Xhixho tha se drejtësia po vepron me standarde të dyfishta, duke goditur opozitën dhe duke mbrojtur mazhorancën. Sipas saj, rasti i zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ndaj së cilës janë ngritur akuza për afera korruptive, tregon qartë se qeveria po përdor parlamentin si një “mburojë politike” për të penguar hetimet.
“Një zyrtare e lartë nën akuza nuk mund të sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur. Në një vend normal do të kishte dorëheqje të menjëhershme”, u shpreh Xhixho.
Ajo foli gjithashtu për situatën në drejtësi, duke theksuar se institucionet ligjzbatuese po përdoren në mënyrë selektive, ndërsa rastet që prekin zyrtarë të lartë të mazhorancës ose zvarriten, ose nuk hetohen fare.
Paralelisht, deputetja e Partisë së Lirisë ngriti alarmin për sigurinë ushqimore, duke e cilësuar atë si një nga problemet më të rënda që prek drejtpërdrejt qytetarët. Ajo tha se Partia e Lirisë ka depozituar në Kuvend një projektligj që parashikon detyrimin për analiza laboratorike të çdo produkti ushqimor që hidhet në treg.
“Sot kontrollet janë sporadike. Qytetarët konsumojnë ushqime pa garanci, ndërkohë që shumë vende të Bashkimit Europian refuzojnë eksportet tona për mungesë standardesh”, deklaroi Xhixho.
Sipas saj, korrupsioni dhe koncesionet klienteliste kanë lënë pa financim sektorë jetikë si shëndetësia dhe siguria ushqimore. Ajo përmendi mungesën e energjisë elektrike në spitale dhe mungesën e ilaçeve për pacientët onkologjikë si pasoja direkte të keqqeverisjes.
Në përfundim, Xhixho theksoi se opozita do të vijojë protestat dhe betejën politike, duke nënvizuar se reagimi qytetar është e vetmja rrugë për të rikthyer demokracinë, llogaridhënien dhe sigurinë për jetën e përditshme të shqiptarëve.
