Prokuroria ka nisur hetimet pas sekuestrimit të pajisjeve të dyshuara përgjuese në Portin e Durrësit, ndërkohë që tre shtetas italianë – dy prej tyre zyrtarë të Guardia di Finanza – janë marrë në pyetje dhe më pas janë lejuar të largohen drejt Italisë. Hetimet po zhvillohen për veprat penale të përgjimit të paligjshëm dhe kontrabandës.
Sipas burimeve të besueshme, pajisjet u gjetën në automjetin me të cilin udhëtonin italianët, të cilët kishin ardhur me tragetin Bari–Durrës dhe kishin qëndruar të paktën 12 orë në territorin shqiptar. Dyshohet se gjatë kësaj periudhe pajisjet janë përdorur për të kryer përgjime ndaj subjekteve të caktuara brenda vendit.
Pajisjet u zbuluan nga policia kufitare në momentin kur tre italianët tentuan të largoheshin me linjën Durrës–Ankona. Të tre personat janë marrë në pyetje nga autoritetet shqiptare, ndërsa pajisjet janë sekuestruar dhe pritet t’i nënshtrohen ekspertimit teknik.
Burime nga organet e hetimit konfirmojnë se janë zhvilluar komunikime me autoritetet italiane, pasi nga verifikimet paraprake ka rezultuar se nuk ka pasur asnjë autorizim nga pala shqiptare për përdorimin e këtyre pajisjeve në kuadër të ndonjë operacioni të përbashkët.
Hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar nëse pajisjet janë përdorur për qëllime spiunazhi, përgjimi të paligjshëm apo operacione të tjera jo të autorizuara.
