Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer fuqishëm në skenë ambicien e Shteteve të Bashkuara për të marrë nën kontroll Groenlandën, gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Ai deklaroi se ishulli i përket historikisht SHBA-së, pasi u fitua gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pas iu la Danimarkës.
Trump theksoi se sot Groenlanda është kyçe për sigurinë globale dhe se vetëm SHBA ka kapacitetin real për ta mbrojtur nga kërcënimet e Rusisë dhe Kinës.
“Nuk po kërkojmë asgjë tjetër, përveçse një copë akulli. Po kërkojmë atë që fituam në Luftën e Dytë Botërore dhe ia lamë Danimarkës. Vetëm SHBA mund ta mbrojë Groenlandën nga armiqtë,” deklaroi Trump.
Ai shtoi se Groenlanda është pjesë e Amerikës së Veriut dhe se siguria e saj lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare amerikane dhe atë të NATO-s. Sipas tij, Danimarka dhe Europa nuk janë në gjendje ta garantojnë këtë mbrojtje.
Trump vuri në pikëpyetje edhe angazhimin real të aleatëve europianë në NATO, duke kujtuar se ka kërkuar rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga 2% në 5% të buxhetit.
“Ne besojmë te vlerat që ndajmë me Europën, por duam aleatë të fortë, jo të dobët. Këto janë çështje sigurie kombëtare,” u shpreh ai.
Presidenti amerikan rikujtoi se gjatë Luftës së Dytë Botërore, Danimarka u pushtua nga Gjermania naziste dhe ishte SHBA ajo që ndërhyri për të mbrojtur Groenlandën, duke ndërtuar baza ushtarake dhe duke penguar zgjerimin e fuqive armiqësore në hemisferën perëndimore.
“Pas luftës, ne ia rikthyem Groenlandën Danimarkës. Sot, kjo çështje shihet ndryshe. Askush përveç SHBA-ve nuk është në gjendje ta sigurojë atë,” përfundoi Trump, duke e vendosur Groenlandën në qendër të debatit për sigurinë e Perëndimit.
