Presidentja Vjosa Osmani tha se Kosova i bashkohet deklaratës së sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe rithekson mbështetjen e plotë për integritetin dhe sovranitetin territorial të Bosnje e Hercegovinës.
“Ne gjithashtu dënojmë fuqishëm çdo veprim që minon themelet e Bosnje e Hercegovinës, sepse kërcënon paqen dhe stabilitetin që rajoni ynë ka punuar palodhshëm për ta arritur—përmes sakrificave shumëvjeçare dhe me mbështetjen e palëkundur amerikane”, shkroi Osmani në X të dielën.
Sekretari amerikan i Shtetit Rubio tha të shtunën se veprimet e presidentit të Republikës Sërpska (RS), Millorad Dodik, përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës, si dhe i minojnë institucionet shtetërore të saj.
Dodiku i dekretoi më 5 mars ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës Sërpska – entiteti serb i Bosnjës – të cilat ndalojnë punën e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve (SIPA) si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Prokurorial të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.
Por, më 7 mars, Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës i shpalli jokushtetuese këto ligje, duke i pezulluar përkohësisht, ndërsa pritet t’i ndalojë ato përfundimisht pas një shqyrtimi të plotë.
