Prokuroria e Posaçme (SPAK) po ndje shembullin kroat, duke goditur me themel krimin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet. Një mal me dosje po hetohen nga prokurorët shqiptarë dhe shumë shpejt priten goditje të tjera “VIP”, ashtu siç ndodhi në Kroaci me USKOK, që është simotra e SPAK. Në këtë vend, struktura e posaçme dërgoi pas hekurave me qindra zyrtarë të lartë, nga ish-kryeministra te deputetë e ministra. Rasti i më i njohur i luftës ndaj korrupsionit është ai i arrestimit të kryeministrit kroat, Ivo Sanader. Hetimi ndaj tij ka nisur nga informimi proaktiv i vazhdueshëm në media. Gazetarët raportonin që Sanader mbante ora shumë të shtrenjta, një prej të cilave vlente mbi 100.000 Euro. Hetimi i tij nisi pas indiceve të para dhe ishte shumë i vështirë grumbullimi i provave. Monitorimi u krye nga një skuadër, që konsistonte nga 7 Prokurorë dhe që punonin 16 orë në ditë përfshi të shtuna dhe të diela.
Dënimi i Sanader
Sanader, i cili shërbeu si kryeministër i Kroacisë midis viteve 2003 dhe 2009, u dënua për ryshfet, shpërdorim detyrës, fitim të padrejtë dhe korrupsion në raste të ndryshme. Në 2020-ën ishte edhe dënimi i fundit për ish-kryeministrin e Kroacisë. Ivo Sanader u dënua me tetë vjet burgim, pasi është gjetur fajtor për krijimin e fondeve për partinë e tij konservatore HDZ, duke marrë para nga kompanitë publike përmes një agjencie të marketingut. Përveç dënimit, ai u detyrua t’i transferonte shtetit gjysmë milioni euro. Sipas mediave kroate, kjo ishte vetëm një pjesë e parave, që Sanader ka futur gjatë karrierës politike në xhepin e tij. Në argumentimin e vendimit u fol për më shumë se 10 milionë euro.
Në rigjykim, gjykatësi tha se Sanader kishte organizuar një grup të njerëzve për të kryer aktivitete kriminale dhe për të mbuluar marrëveshjet joligjore financiare. Sanader po ashtu po vuan një dënim tjetër, pasi në 2008 ishte dënuar për ryshfet, pasi kishte ndërmjetësuar që një ndërtesë që i përkiste një bashkëpartiaku të tij, t’i shitej një ministrie, me çmim më të lartë se çmimi i tregut. Ai po ashtu është dënuar për pranim të ryshfetit nga kompania hungareze e naftës MOL më 2008, në këmbim që ta lejojë këtë kompani të bëhej aksionare kryesore e kompanisë kroate të energjisë INA.
Rama mund të pësojë fatin e Sanader?
Nuk përjashtohet që edhe kryeministri Edi Rama mund të pësojë fatin e Sanader. Me goditjen që SPAK i bëri dyshes Meta-Berisha, Edi Rama, tani përballet me presionin që ajo mund të kthehet kundër tij, pasi bashkëpunëtorët më të afërt po ia merr një nga një. Llogaritë me SPAK, Rama i ka të hapura. Frika e tij ndihet dhe këtë e tregojnë deklaratat e tij të fundit. Gjatë takimit me shqiptarët në Selanik të Greqisë, Rama përsëriti sërish dje edhe njëherë se është ai dhe Partia Socialiste që mundësuan reformën në drejtësi dhe nëse do ishin amerikanët, do ishte bërë edhe më përpara. “Thuhet e bëri Amerika. Kjo nuk është e vërtetë, sepse Amerika ishte edhe më parë dhe nuk bë, Amerika është edhe në Mal të Zi dhe Maqedoni e Kosovë, por vetëm në Shqipëri është bërë e mundur ajo që po ndodh.
Nëse SHBA e kishte këtë peshqesh kaq kollaj pse nuk na e solli më parë por na la të jetonin nën një drejtësi të nënshtruar? Sepse as SHBA as BE nuk e bëjnë do të në vene të tjera nëse nuk është forca e brendshme që ne e kemi”, tha Rama. Kjo retorikë për reformën në drejtësi është e dyta brenda pak ditëve, pasi të njëjtën gjë tha edhe në emisionin “Opinion”. Madje që të nënvlerësonte punën e SHBA, nuk kurseu as termat banal duke thënë se “sollën Noc Rrokun për reformën në drejtësi”. “Kanë sjellë Noc Rrokun! Këtë gjë e ka sjellë Partia Socialiste e Shqipërisë me mua në krye”, tha ai. Por të gjithë e dimë se amerikanët detyruan jo vetëm Ramën, por të 140 deputetët e parlamentit ta votonin në 2016, mes tyre edhe zyrtarë të lartë që sot janë prapa hekurave.
