OSBE ka reaguar pas miratimit me konsensus nga Kuvendi të ndryshimeve në Rregulloren parlamentare, duke e cilësuar këtë zhvillim si një hap pozitiv për forcimin e dialogut politik dhe funksionimin e demokracisë parlamentare në Shqipëri.
Në reagimin zyrtar, Prezenca e OSBE-së vlerëson se ndryshimet e miratuara reflektojnë vendimet e Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë dhe kontribuojnë në forcimin e reciprocitetit mes shumicës dhe opozitës.
Sipas OSBE-së, amendimet e reja zgjerojnë gjithashtu hapësirën për pjesëmarrje më aktive të të gjitha forcave politike në jetën parlamentare, duke krijuar kushte për një funksionim më gjithëpërfshirës të Kuvendit.
“Prezenca e OSBE-së mirëpret miratimin me konsensus nga parlamenti të ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit. Kjo shënon një hap pozitiv për dialogun politik dhe për funksionimin e demokracisë parlamentare”, thuhet në deklaratë.
Më tej, organizata ndërkombëtare thekson se zbatimi korrekt i rregullores së re do të jetë vendimtar për garantimin e një praktike parlamentare efektive dhe gjithëpërfshirëse, si dhe për avancimin e prioriteteve të reformave të Shqipërisë në proceset integruese.
