Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim në selinë e PD me eurodeputetin Michael Gahler, koordinator i Grupit të Partisë Popullore Europiane në Parlamentin Europian.
Gjatë takimit, Berisha paraqiti shqetësimet e opozitës lidhur me çështjen “Balluku” dhe me atë që e cilësoi si skandali i AKSHI-t, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për përpjekje për të ndërhyrë në legjislacion me qëllim mbrojtjen e vetes dhe ministrave të tij nga hetimet për korrupsion.
Sipas Berishës, amendamentet ligjore të propozuara cenojnë luftën kundër korrupsionit dhe dëmtojnë procesin e integrimit europian të vendit. Ai theksoi se opozita mbështet pa kushte integrimin në BE, por kërkon që procesi të bazohet në meritë dhe standarde, jo në propagandë politike.
Kreu i PD e krahasoi çështjen e AKSHI-t me aferën “Epstein”, duke pretenduar se përmasat e saj janë edhe më të rënda për Shqipërinë, pasi sipas tij prekin sigurinë kibernetike dhe strukturat themelore të shtetit.
Në takim u diskutua edhe për zgjedhjet e fundit në Shqipëri. Berisha vlerësoi dërgimin e një misioni vëzhgues nga Parlamenti Europian, duke theksuar se raportet ndërkombëtare kanë evidentuar, sipas tij, shkelje serioze. Në bisedë u përmendën gjithashtu pretendime për lidhje të qeverisë me krimin e organizuar.
Takimi u zhvillua në kuadër të vizitës së delegacionit të Parlamentit Europian në Shqipëri.
