Opozita lufton për Bashkinë e Tiranës dhe jo për rrëzimin e qeverisë, vijon pazari Rama-Berisha për të goditur kryebashkiakun Erion Veliaj

Data

Edhe pse duhet të protestojnë kundër keqqeverisjes me qëllimin final rrëzimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti, opozita e kryesuar nga Rithemelimi i Sali Berishës duket se po lufton për të uzurpuar Bashkinë e Tiranës. Për të tretën herë radhazi dhe në mungesë të Argita Berishës me thirrjet për lirimin e babait të saj ish-kryeministër nga “arresti shtëpiak” për aferën “Partizani”, si dhe në mungesë të kryetarit të Partisë së Lirisë Ilir Meta, protestën dje para Bashkisë së Tiranës për dorëheqjen e Erjon Veliajt, e udhëhoqën deputeti i Rithemelimit Flamur Noka, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi dhe Klevis Balliu, djali i gazetarit Fahri Balliut. Njëzëri ata kërkuan dorëheqjen e Veliajt, duke vijuar kështu pazarin Rama-Berisha për të goditur kryebashkiakun Erion Veliaj.

Protestuesit përplasen me policinë

Protesta e nisur me fjalime militantësh të cilët, i bënë thirrje policisë të tërhiqet pasi nuk janë vandalë, shumë shpejt u kthye në dhunë. E si për rastësi, gjatë fjalës së Belind Këlliçit, njëjtë siç ndodhi në tubimin e së enjtes së kaluar, nisën të shpërthejnë rreth 15 bomba molotov në derën e bashkisë së Tiranës. Më herët militantët qëlluan ndaj godinës me gurë, vezë, mollë dhe bojë të zezë. Në mesin e protestës, këshilltarët e djathtë bashkiakë kërkuan të hyjnë në bashki, por nuk u lejuan në kushtet e marrjes së masave të sigurisë për mbarëvajtjen e protestës, në kohën kur Flamur Noka e të tjerët thërrisnin turmën të sulmonin godinën. Ekspertë të grupit hetimor mbërritën para bashkisë për të mbledhur provat pas protestës së dhunshme. Ndërkohë Noka, Blushi dhe Balliu qartazi dukej të kishin marrë detyrën për të prirë grupin militant të sulmonin godinën e bashkisë. Vetë ata, siç tregohet në pamje, hoqën mes dhunës gardhin rrethues metalik duke u përplasur me forcat e policisë në tentativë për të hyrë brenda bashkisë. “Nga ky shesh po të paralajmërojmë se nëse vijon të mbrohesh me SPAK-un e kapur me polici që e ke shndërruar në badigardë personal tënd ta dish mirë do të hyjmë në zyrë ne e do të të arrestojmë ty dhe më pas Edi Ramën”, deklaroi Blushi.

Reagimet

Ndërkohë ambasadat diplomatike në vendin tonë kanë dënuar në bllok protestën e dhunshme dhe me flakë para të Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë para Bashkisë së Tiranës. Me anë të një reagimi në X, prezenca e Bashkimit Europian në Shqipëri dhe OSBE dënuan dhunën gjatë protestës së Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë para bashkisë Tiranë ditën e djeshme. “Ne dënojmë fort dhunën gjatë protestës së sotme në qendër të Tiranës, gjatë së cilës u hodhën mjete piroteknike të improvizuara ndaj godinës së bashkisë. Akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtën legjitime për protestë paqësore”, thuhet në reagimin e prezencës së BE në Tiranë. Po ashtu, edhe OSBE dënoi dhunën. “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dënon aktet e dhunës gjatë protestës së sotme përpara Bashkisë së Tiranës. Protesta paqësore është akt demokratik legjitim, dhuna jo”, shkroi OSBE. Gjithashtu, dhunën e ka dënuar edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. “Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon aktet e dhunës gjatë protestës së sotme pranë Bashkisë së Tiranës. E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, por nuk ka vend për dhunën e ndërmarrë nga organizatorët. Aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune. Përshëndesim zyrtarët e forcave të rendit për profesionalizmin e tyre gjatë protestës së sotme”, thuhet në deklaratën e ambasadës së Shteteve të Bashkuara. Sakaq edhe ambasada e Britanisë së Madhe thotë se skena të tilla, si përdorimi i molotivit, nuk kanë vend në demokraci. “Skenat jashtë Bashkisë së Tiranës sot dhe përdorimi molotovit nuk ka vend në demokraci. Ambasada Britanike dënon përdorimin e dhunës dhe aktet e frikësimit.  Mbretëria e Bashkuar vazhdon të kërkojë që të gjitha mosmarrëveshjet dhe konfliktet të kryhen përmes proceseve demokratike, pa dhunë dhe se duhet respektuar sundimi i ligjit”, thuhet në reagim. Nga ana tjetër, edhe ambasada e Italisë në Tiranë ka dënuar aktet e dhunës në protestën e Rithemelimit para bashkisë së Tiranës. “Ambasada e Italisë në Tiranë dënon aktet e dhunës të kryera sot gjatë protestës së zhvilluar para Bashkisë Tiranë. E drejta për t’u organizuar paqësisht e për të protestuar është thelbësore në një shoqëri demokratike, por dhuna ndaj objekteve apo personave nuk është aspak e justifikueshme”, thuhet në reagimin e ambasadës italiane.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related