Plot 93 milionë lekë të reja, ose 930 milionë lekë të vjetra, të pajustifikuara kanë bërë që Agron Zhukri, gjyqtari që njohu Kuvendin e Sali Berishës në luftën e brendshme të PD, të shkarkohet dje nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Emri i Zhukrit u lakua në marsin e vitit 2022 për shkak të shqyrtimit të konfliktit të brendshëm të Partisë Demokratike për logon e partisë dhe vulën. Zhukri i dha të drejtë Sali Berishës e grupit të Rithemelimit ndërsa vendimi u rrëzua më pas nga Gjykata e Apelit, për njëanshmëri dhe mos respektim të procedurave. Vetë Zhukri dje nuk ishte i pranishëm në seancën ku u lexua vendimi nga trupa e KPK e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Xhensila Pinen i cili kreu dhe procesin e vetingut, por u përfaqësua nga djali i tij. Zhukri nuk është i vetmi që është shkarkuar nga drejtësia për pasuri të pajustifikuar. Deri më tani të gjithë njerëzit e emëruar nga Berisha gjatë pushtetit të tij në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese, sot ose janë vetëlarguar nga frika e Vetingut ose janë shkarkuar nga Vetingut për mosjustifikim pasurie, lidhje me krimin dhe si të paaftë profesionalisht. Jo vetëm njerëzit e Berishës, por edhe të tjerë që kanë pastruar para, apo kanë qenë të lidhur me mafian janë shkarkuar. Sali Berisha arriti të kapte institucionet kryesore të drejtësisë në Shqipëri, përmes emërimit të besnikëve të tij dhe sulmit ndaj kandidatëve dinjitozë, por tashmë me drejtësinë e financuar nga amerikanët, të gjithë ata kanë pësuar fat të hidhur. Por a duhet të mbetet me kaq?
A do të ketë arrestime?
SPAK mund t’iu prishë qetësinë gjyqtarëve dhe prokurorëve të ngelur në veting. Janë shumë emra të shkarkuar nga detyra gjatë viteve të fundit, por të gjithë vijojnë t’i gëzojnë pronat miliona dollarëshe. Brukseli shpesh ka kërkuar që të ketë hetime për prokurorët dhe gjyqtarët e ngelur në veting, por asgjë nuk është bërë deri më tani. Mirëpo tashmë që Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion po godet në nivel ish-kryeministrash, radha e gjyqtarëve mund të vijë shumë shpejt, pasi ky është një nga kushtet kryesore për vendin tonë për të hyrë në BE. Nga verifikimi i bërë nga gazeta, tek të gjitha vendimet e shkarkimit të dhëna nga KPK, rezulton se pjesa më e madhe e gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë kryer deklarim të rremë, fshehje pasurie, falsifikim të formularit, falsifikim të dokumenteve dhe mashtrim me kreditë. Mes emrave ka dhe të tjerë që kanë kryer evazion fiskal. Sipas parashikimeve në Kodin Penal, mosdeklarimi i pasurisë apo deklarimi i rremë dënohet deri në 3 vite burg. Falsifikimi i formularit dënohet deri në 4 vite burg, ndërsa falsifikimi i dokumentit dënohet deri në 3 vite burg. Të gjithë gjyqtarët e prokurorët e shkarkuar, që i kanë kryer të gjitha këto vepra penale rrezikojnë shumë vite burgim sapo të nisin hetimet nga SPAK. Por përveç dënimit me burg, ata rrezikojnë po ashtu që t’iu sekuestrohen pasuritë, duke hyrë në lojë këtu ligji antimafia.
Çfarë rrezikon Zhukri?
Këtë fat të zi mund të pritet edhe për Zhukrin. Sipas KPK, Zhukri nuk ka deklaruar pasuri ndërsa të gjitha janë të regjistruara në emër të bashkëshortes së tij. Një shtëpi e rikonstruktuar 24 milionë lekë në vitin 1996; një shtesë tjetër në vitin 2006; një investim tjetër në vitin 2003 kur ka blerë së bashku me një shoqëri një pasuri banesë + truall në masën 44 milionë lekë; një investim i një shumë të vogël prej rreth 22 milionë lekësh që do të sillte përfitimin e një vlere rreth 260 milionë lekë, 13 herë më të madhe, ndërkohë që investimi do të duhet të ishte 70 mijë euro; blerja e një apartamenti në Qerret, kur ka rezultuar me bilanc negativ në masën rreth 110 milionë lekë; blerja e 2 apartamenteve të Tiranë për 280 mijë euro, janë konsideruar disa prej pasurive të pajustifikuara nga treshja e gjyqtarëve të KPK.
Karriera
Ai e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Arsimimi i tij dhe mënyra se si u katapultua në drejtësi mbetet një mister. Në rrethet e gjyqësorit dhe politikës flitet se Zhukri ka qenë shofer pranë Gazetës Rilindja Demokratike, Partisë Demokratike në vitin 1991 dhe më pas pranë ambasadave, pas ardhjes së PD-së në pushtet. Gjithsesi, në formularin e dekriminalizimit, Zhuri deklaron se në periudhën dhjetor 1992 deri në qershor 1994 ka qëndruar në Itali, si punonjës pranë Ambasadës Shqiptare në Romë, por e specifikuar punën që bënte. Ndërkaq, bashkëshortja e gjyqtarit Agron Zhuri, Rezarta Zhukri, ka qenë financiare pranë gazetës Rilindja Demokratike, organ në duart e Berishës. Zonja Rezarta Zhukri ka qenë sekretare personale e Sali Berishës dhe më pas shefe e administratës, fakt i pranuar edhe nga vetë gjyqtari. Ishin pikërisht këto lidhje, për të cilat gjyqtari kërkoi që të mos shqyrtonte çështjen e legjitimitetit apo jo të Kuvendit dhe statutit paralel të PD-së, por që kërkesa e tij nuk u miratua nga kryetari i Gjykatës së Tiranës.
Misteri i katapultimit në drejtësi
Në këto rrethana ngrihen dyshime për një ndikim të mundshëm të Berishës për të bërë gjyqtar Agron Zhuri, për t’i shërbyer më pas. Nuk dihet me saktësi se si Zhukri arriti të bëhej pjesë e drejtësisë, me arsim të plotë juridik apo përmes kursit të famshëm të ‘Plepave’, por ai nisi të shfaqej fillimisht si ndihmës gjyqtar dhe më pas si gjyqtar. Zhukri doli në pah si ndihmës gjyqtar në procesin e famshëm të gjykimit të të akuzuarave për grushtin e shtetit të 14 Shtatorit 1998, orkestruar nga Sali Berisha. Ashtu si në shumë ngjarje të tjera të rënda, edhe për grushtin e shtetit të 14 shtatorit 1998 u dënuan vetëm zbatuesit, ndërsa orkestruesit i shpëtuan përgjegjësisë penale.
Pasuria
Më shumë se sa për vendime, Zhukri është lakuar për pasurinë. Në vitin 2003, gjyqtari deklaron një shtëpi të ndërtuar në vitet ’90 me vlerë 3 milionë lekë, kthyer më pas në ambiente zyre për biznesin e bashkëshortes, si agjenci udhëtimi dhe sigurimesh, me vlerë investimi 2 milionë lekë. Nga viti 2006 deri në vitin 2018, bashkëshortja e gjyqtarit Rezarta Zhukri deklaron rreth 2 milionë USD të ardhura nga biznesi i agjencisë së udhëtimit dhe sigurimeve. Nëse në vitet 2003, 2004 dhe 2005, të ardhurat e bashkëshortes Rezarta Zhukri janë të papërfillshme, befas në vitin 2006 deklaron 130 mijë euro të ardhura, në vitin 2007 deklaron 65 mijë euro, në vitin 2008 rreth 75 mijë euro, në 2009 rreth 32 mijë euro, në 2010 deklaron 5.8 milionë lekë, 7.1 milionë lekë në 2011, 8.5 milionë lekë në 2012 dhe 8 milionë në 2013. Në vitin 2014, Rezarta Zhukri deklaron 19.8 milionë lekë ose rreth 200 mijë USD të ardhura, 10 milionë lekë në 2015 dhe 11 milionë lekë në 2016. Në 2017 deklaron 49 895 099 ose rreth 500 mijë USD dhe rreth 420 mijë USD në vitin 2018. Në vitin 2006, gjyqtari deklaron blerjen e dy apartamente me vlerë 280 mijë euro si dhe një makinë Volsvagen Classic me vlerë 43 mijë euro, makinë kjo për bashkëshorten. Në vitin 2006, deklarohet edhe shitja një apartamenti ndërtuar mbi truallin e familjes, me vlerë 30 mijë euro, si dhe 30 mijë euro të ardhura nga investimi në ndërtim. Ndërkaq, dy apartamentet i jep me qira, ku deklaron deri në 21 mijë euro të ardhura në vit. Por, nga ana tjetër, deri në 13 mijë euro në vit i shpenzojnë për shkollimin e djalit. Në vitin 2017 gjyqtari Agron Zhukri deklaron një kontratë si përfitues i një sipërfaqeje ndërtimi si pronar i truallit ku po ndërtohet një pallat. Në vitin 2018, deklaron rreth 48 mijë USD nga qiratë, rreth 15 mijë USD pagën e bashkëshortes përveç 420 mijë USD të ardhura nga biznesi, rreth 16 mijë USD të ardhura nga aktiviteti privat i djalit, si dhe pagën e tij si gjyqtar 1.3 milionë lekë ose rreth 13 mijë USD.
Pretendimi i Bardhit për takim sekret paraprak
Ndërkohë, Gazment Bardhi, i cili tashmë ka kaluar në radhët e Berishës, ka sulmuar disa kohë më parë Zhukrin se ka pasur një takim me një përfaqësues të Berishës para se të caktonte datën për seancën gjyqësore. “I bëj thirrje gjykatës të mos i futet aventurave. Ka caktuar datë për seancë pa pasur dosje. Data për nesër është caktuar dje pa patur gjyqtari dosje mbi tavolinë. Është takuar me një përfaqësues të Berishës. E kam emrin, por nuk po e them për etikë të kolegut tim. Si mund të gjykosh pa pasur aktet dhe dosje, këtë do e shpjegojë gjyqtari. E kam të dokumentuar, me të gjitha. Nëse gjyqtari ka vendosur të hedhë veten në erë, është i lirë, i ka thënë burgut hapu. Një gjyqtar kamikaz”, tha Bardhi.
