SPAK, në bashkëpunim me autoritetet franceze, ka finalizuar një operacion kundër një skeme mashtrimi me kriptomonedha që operonte përmes një call center-i në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni është zhvilluar më 22 prill 2026 në bashkëpunim me hetues të xhandarmërisë franceze dhe me koordinimin e Eurojust. Kontrollet u ushtruan në një qendër thirrjesh dhe në katër banesa, ku u arrestua një shtetas shqiptar i dyshuar si organizatori kryesor i aktivitetit kriminal.
Hetimet tregojnë se gjatë periudhës shkurt–maj 2023 janë mashtruar 13 shtetas francezë, me një dëm total që arrin rreth 2 milionë euro. Katër viktimat e para kanë humbur rreth 845 mijë euro, ndërsa nëntë të tjerë mbi 1.1 milionë euro.
Sipas autoriteteve, viktimat kontaktoheshin nga persona që prezantoheshin me identitete të rreme franceze dhe udhëzoheshin të investonin në kriptomonedha përmes platformës “UNIVERSAL TRADE”. Fondet më pas transferoheshin në portofole kriptovalutash të hapura nga shtetas shqiptarë.
Nga hetimet rezulton se një prej të dyshuarve kishte rol kyç në hapjen e këtyre portofoleve dhe transferimin e parave, çka çoi në ndalimin e tij me urdhër të prokurorit të posaçëm.
Gjatë operacionit u sekuestruan pajisje kompjuterike, telefona celularë, dokumente të ndryshme, katër “cold wallet”, një automjet luksoz dhe para në valuta të ndryshme me vlerë rreth 5 milionë lekë.
Në kuadër të hetimeve është ndaluar gjithashtu edhe një punonjës policie, ndaj të cilit po verifikohet përfshirja e mundshme në këtë aktivitet.
Autoritetet theksojnë se hetimet vijojnë për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë dhe për të dokumentuar plotësisht aktivitetin kriminal, ndërsa rikujtohet se çdo person konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
