“Hiqni masën e vendosjes në kafaz” – Erion Veliaj para GJKKO: Po më mohohet mbrojtja dhe dinjiteti

Data

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka paraqitur sot në seancën paraprake të GJKKO një sërë kërkesash që, sipas tij, janë thelbësore për garantimin e një procesi të drejtë. Në një fjalim të gjatë dhe të strukturuar, Veliaj denoncoi mënyrën e trajtimit të tij gjatë 9 muajve të paraburgimit, veçanërisht vendosjen në një kafaz metalik gjatë çdo seance, mungesën e aksesit në dosjen e çështjes dhe pamundësinë për t’u mbrojtur në mënyrë efektive.

Veliaj deklaroi se qëndrimi i tij në kafaz përbën “shkelje të dinjitetit njerëzor, të prezumimit të pafajësisë dhe të së drejtës për mbrojtje efektive”, duke theksuar se kjo praktikë është e papërputhshme me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane (GJEDNJ). Ai kujtoi se vetëm pak ditë më parë ishte paraqitur në Gjykatën Kushtetuese pa kafaz dhe pa asnjë incident, duke nënvizuar se nuk ekziston asnjë arsye sigurie për trajtimin aktual.

Sa i përket dosjes së çështjes, Veliaj tha se ajo përmban rreth 60 mijë faqe, por se ai nuk ka pasur mundësi të njihet me asnjërën prej tyre, pasi USB-ja e dorëzuar nga prokuroria nuk lejohet të përdoret në paraburgim. Sipas tij, kjo situatë e bën “praktikisht të pamundur ushtrimin e së drejtës për t’u mbrojtur”, duke shkelur Kushtetutën, KEDNJ dhe Kodin e Procedurës Penale.

Ai paralajmëroi se nëse gjykata nuk i plotëson kushtet minimale të procesit të rregullt, atëherë vetë gjykata po e përjashton atë nga procedimi penal: “Nëse nuk më garantohet e drejta për t’u mbrojtur dhe nëse nuk trajtohem me dinjitet, atëherë më keni treguar ‘derën’”.

Në fund të fjalës së tij, Veliaj paraqiti tre kërkesat zyrtare, të cilat, sipas tij, nuk janë privilegje, por të drejta themelore që i garantohet çdo qytetari i Republikës së Shqipërisë.

Kërkesat e Erion Veliajt

1. Heqja e menjëhershme e masës së vendosjes në kafaz

Veliaj kërkon që të mos mbahet më në kafaz gjatë seancave gjyqësore, duke argumentuar se kjo masë është poshtëruese, paragjykuese dhe në kundërshtim me nenet 3 dhe 6 të Konventës Evropiane të të Drejtave e Njeriut si dhe me vendimet e GJEDNJ.

2. Vendosja e akteve të dosjes në një formë të lexueshme dhe të aksesueshme

Ai kërkon që dosja t’i vihet në dispozicion në mënyrë të tillë që të mund ta lexojë realisht dhe të përgatitet për mbrojtje. Aktualisht, thotë ai, është i privuar plotësisht nga çdo mundësi për t’u njohur me provat dhe akuzat.

3. Shtyrja e procedurës gjyqësore

Veliaj kërkon që procesi të mos vijojë derisa t’i garantohet tërësisht e drejta për t’u mbrojtur. Sipas tij, çdo vazhdim i procedurës në kushtet aktuale do të cënonte thellë parimet e një gjykimi të drejtë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related