Një raport i fundit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) ka ngritur alarmin për situatën ekonomike dhe sociale në Shqipëri, duke e vënë në shënjestër qeverinë Rama. Sipas “World Social Report 2025”, politikat fiskale të ndjekura nga vendi ynë kanë dështuar të ulin pabarazinë dhe, përkundrazi, kanë thelluar hendekun mes të pasurve dhe të varfërve. Ky konstatim përbën një “shuplakë” të fortë për ekzekutivin, i cili prej vitesh promovon retorikën e zhvillimit dhe mirëqenies sociale.
Në vend që të shërbejnë si mekanizma për barazi, taksat dhe shpërndarja e burimeve publike duket se kanë favorizuar një grusht njerëzish në kurriz të shumicës. OKB vëren se ky fenomen rrezikon jo vetëm kohezionin shoqëror, por edhe stabilitetin ekonomik afatgjatë. Raporti i vendos politikat shqiptare në kontrast me praktikat e vendeve që kanë arritur të reduktojnë ndjeshëm pabarazinë përmes reformave fiskale efektive. Përballë këtij verdikti ndërkombëtar, qeveria përballet me një test të ri të besueshmërisë dhe aftësisë së saj për të ofruar zgjidhje reale. Pyetja që ngrihet sot është: a do të reflektojë Tirana zyrtare, apo do të vazhdojë të mbyllë sytë përballë një realiteti që bëhet gjithnjë e më i dhimbshëm për qytetarët?
