Këtë të martë, më 2 qershor, nis zyrtarisht procesi i Maturës Shtetërore 2026 me zhvillimin e provimit të parë, atë të gjuhës së huaj. Mijëra maturantë në të gjithë vendin do t’i nënshtrohen testimit, i cili përbën hapin e parë drejt përfundimit të arsimit të mesëm dhe vijimit të studimeve të larta.
Sipas kalendarit të publikuar nga Ministria e Arsimit, nxënësit duhet të paraqiten në ambientet e shkollave në orën 08:30, ndërsa provimi do të zhvillohet nga ora 10:00 deri në 12:30.
Autoritetet arsimore kanë rikujtuar rregullat që duhet të respektohen gjatë testimit. Ndalohet rreptësisht mbajtja e telefonave celularë, orëve inteligjente apo çdo pajisjeje tjetër elektronike që mund të përdoret për komunikim ose akses në inteligjencën artificiale.
Gjithashtu, nuk lejohen kopjet, komunikimi mes nxënësve apo përdorimi i materialeve të paautorizuara. Çdo shkelje e rregullores mund të sjellë përjashtimin e menjëhershëm nga provimi.
Maturantët duhet të kenë me vete një dokument identifikimi të vlefshëm, si kartë identiteti ose pasaportë, si dhe mjetet e nevojshme për plotësimin e testit.
Provimi i gjuhës së huaj shënon nisjen e sezonit të provimeve të Maturës Shtetërore, nga i cili varet jo vetëm diplomimi i nxënësve, por edhe pjesëmarrja e tyre në garën për pranimin në universitetet e vendit.
