Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur vendimin për 23 të pandehurit e akuzuar si pjesë e dy grupeve kriminale të përfshira në trafikimin e emigrantëve të paligjshëm drejt dhe përmes Shqipërisë.
Sipas dosjes hetimore, grupet kriminale kanë organizuar kalimin e paligjshëm të mbi 650 emigrantëve gjatë periudhës 2023 – prill 2024. Emigrantët, kryesisht shtetas nga Bangladeshi dhe Kameruni, paguanin nga 6 mijë deri në 8 mijë euro për të kaluar kufirin shqiptar në mënyrë të paligjshme.
Hetimet zbuluan se pagesat kryheshin kryesisht në Dubai dhe më pas transferoheshin në Shqipëri përmes sistemit informal të transfertave financiare “Hawala”, që përdoret shpesh në rastet e trafikimit ndërkombëtar.
Gjykata dënoi 19 persona me një total prej 104 vitesh burg, ndërsa 4 të pandehur u shpallën të pafajshëm.
Ndër dënimet më të rënda janë ato për Endri Seiti dhe Luan Tafalla, të cilët u dënuan me nga 12 vite burg secili, që për shkak të gjykimit të shkurtuar u reduktuan në 8 vite burg.
Po ashtu, dënime të konsiderueshme morën edhe Tomë Preka dhe Arnold Shpata, të cilët u dënuan me nga 10 vite burg, të reduktuara në 6 vite e 8 muaj.
Ndërkohë, Edmond Braha, Artan Sulaj, Orkid Pijaneci dhe Ermal Hoxha u shpallën të pafajshëm dhe u liruan nga të gjitha masat e sigurisë.
Sipas organit të akuzës, grupet vepronin në mënyrë të organizuar, duke siguruar transportin, akomodimin dhe kalimin e emigrantëve nëpër territorin shqiptar kundrejt pagesave të konsiderueshme, duke e kthyer aktivitetin në një skemë të mirëstrukturuar kriminale me shtrirje ndërkombëtare.
Vendimi i GJKKO përbën një nga goditjet më të mëdha ndaj rrjeteve të trafikimit të emigrantëve të paligjshëm të operuara në Shqipëri gjatë viteve të fundit.
