Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një konferencë për shtyp në Vlorë, ku prezantoi masat e marra pas incidentit të ndodhur më 30 maj në Zvërnec, ngjarje që shkaktoi reagime të forta publike dhe politike.
Hita pranoi se menaxhimi i protestës dhe komunikimi zyrtar i strukturave vendore nuk ishte në nivelin e kërkuar, duke cenuar besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit. Si pasojë, ai bëri të ditur shkarkimin e drejtorit të Policisë së Vlorës për dështim në administrimin e situatës dhe për informacionin e pasaktë të dhënë publikisht mbi incidentin.
Sipas kreut të Policisë, reagimi i strukturave vendore ishte i vonuar dhe jo profesional, ndërsa autorët e dhunës nuk u identifikuan dhe ndaluan në kohën e duhur. Për këtë arsye është ngritur një grup i posaçëm hetimor që do të verifikojë të gjitha veprimet e kryera gjatë protestës.
Njëkohësisht, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Vlorës, ndërsa janë konstatuar shkelje edhe nga dy kompani private sigurie që operonin në zonë. Për këto subjekte është vendosur heqja e licencave.
Në deklaratën e tij, Hita kërkoi falje publike për informacionin e gabuar të transmetuar fillimisht nga policia dhe theksoi se transparenca, profesionalizmi dhe integriteti mbeten prioritete të panegociueshme për institucionin.
Ai garantoi se Policia e Shtetit do të vijojë të mbrojë të drejtën e qytetarëve për të protestuar, por edhe sigurinë e pronës private që disponon dokumentacion të rregullt ligjor. Ndërkohë, hetimet për ngjarjen në Zvërnec do të vazhdojnë në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, ndërsa rezultatet do të bëhen publike pas përfundimit të procesit hetimor.
