Nis grumbullimi për protestën e 14-të, qytetarët mblidhen në sheshin “Skënderbej”

Data

Ka nisur grumbullimi i qytetarëve në sheshin “Skënderbej” në kuadër të protestës mbarëkombëtare kundër qeverisë, e cila ka hyrë në ditën e saj të 14-të radhazi.

Qytetarë nga Tirana dhe zona të ndryshme të vendit janë mbledhur në qendër të kryeqytetit, ndërsa pritet që më pas të marshojnë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt Kryeministrisë.

Gjatë grumbullimit janë dëgjuar thirrje si:

  • “Rama jep dorëheqjen!”
  • “Rama në burg, Berisha në burg!”
  • “Shqipëria nuk është në shitje!”

Sipas organizatorëve, protesta e kësaj të shtune pritet të ketë pjesëmarrje më të lartë krahasuar me ditët e mëparshme, ndërsa vihet re edhe prania e qytetarëve të ardhur nga diaspora shqiptare.

Pjesëmarrësit mbajnë pankarta, flamuj kombëtarë dhe mesazhe që lidhen me korrupsionin, emigrimin, mbrojtjen e pronave dhe kërkesat për ndryshim politik.

Prej afro dy javësh protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë, ndërsa në tubime janë artikuluar edhe kërkesa për hetimin dhe ndëshkimin e zyrtarëve të lartë politikë, pavarësisht përkatësisë partiake.

Organizatorët kanë deklaruar se mobilizimi qytetar do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, ndërsa protesta e sotme konsiderohet një nga tubimet më të rëndësishme të zhvilluara deri tani në kuadër të kësaj lëvizjeje qytetare.

Ndërkohë, forcat e policisë janë vendosur në disa pika të kryeqytetit për të monitoruar mbarëvajtjen e aktivitetit dhe për të garantuar rendin publik gjatë marshimit të protestuesve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related