Paralelisht me protestën që po zhvillohet në Tiranë, qindra shqiptarë janë mbledhur edhe në Milano të Italisë, duke iu bashkuar valës së demonstratave kundër qeverisë shqiptare.
Tubimi i organizuar nga komuniteti shqiptar në Itali është zhvilluar në shenjë solidariteti me protestuesit në Shqipëri, ndërsa pjesëmarrësit kanë shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj situatës politike, ekonomike dhe sociale në vend.
Me flamuj kuqezi, pankarta dhe thirrje të ndryshme, protestuesit kanë kërkuar më shumë transparencë, luftë kundër korrupsionit dhe përgjegjësi nga institucionet shtetërore.
Mes sloganeve të dëgjuara gjatë protestës ishte edhe thirrja:
“Edi Rama ka mbaru!”
Pjesëmarrësit deklaruan se largimi masiv i të rinjve nga Shqipëria, vështirësitë ekonomike, mungesa e mundësive dhe mosbesimi ndaj institucioneve janë ndër arsyet kryesore që i kanë shtyrë të ngrejnë zërin edhe nga diaspora.
Sipas organizatorëve, protesta në Milano është pjesë e një mobilizimi më të gjerë të shqiptarëve jashtë vendit, të cilët gjatë ditëve të fundit kanë organizuar tubime edhe në qytete të tjera europiane dhe më gjerë.
Në fjalimet e mbajtura gjatë aktivitetit u theksua se emigrantët, megjithëse jetojnë larg Shqipërisë, vazhdojnë të ndihen të lidhur me zhvillimet në vend dhe kërkojnë një të ardhme më të mirë për familjet dhe brezat që do të vijnë.
Protesta u zhvillua në mënyrë paqësore, ndërsa organizatorët deklaruan se diaspora do të vazhdojë të mbështesë çdo nismë qytetare që synon forcimin e demokracisë, shtetit ligjor dhe llogaridhënies publike në Shqipëri.
