Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli duket se kanë ndryshuar strategjinë e tyre ndaj Iranit, duke zgjeruar objektivat e sulmeve nga infrastruktura ushtarake edhe drejt sektorëve ekonomikë.
Sipas raportimeve, përveç goditjes së infrastrukturës dhe forcave të sigurisë iraniane, dy vendet po synojnë gjithashtu institucionet financiare dhe burimet ekonomike që mbështesin aparatin shtetëror të Republikës Islamike.
Gjatë natës mes së mërkurës dhe së enjtes, banka Sepah, një nga institucionet më të vjetra financiare në Iran me seli në Teheran, u godit nga një sulm ajror. Kjo bankë konsiderohet një strukturë kyçe për shpërndarjen e pagave për pjesëtarët e forcave të sigurisë dhe Gardës Revolucionare.
Goditja vjen në një moment të ndjeshëm për vendin, pak ditë para Vitit të Ri Persian që festohet më 21 mars, një periudhë kur zakonisht shpërndahen pagat për shumë punonjës dhe familje në të gjithë vendin.
Pas sulmit, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi paralajmëroi hakmarrje, ndërsa disa banka ndërkombëtare në vendet e Gjirit, përfshirë Citibank dhe HSBC, thuhet se kanë mbyllur përkohësisht degët e tyre për shkak të rritjes së tensioneve.
Ndërkohë, gjatë së njëjtës natë në Teheran janë raportuar edhe sulme me dronë ndaj postblloqeve të Basij, një milici vullnetare që ka pasur rol të rëndësishëm në shtypjen e protestave në vend.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë deklaruar vazhdimisht se një nga synimet e tyre është krijimi i kushteve që qytetarët iranianë të dalin në protesta kundër regjimit. Megjithatë, për shumë iranianë intensifikimi i konfliktit po shton pasigurinë dhe frikën për përshkallëzimin e situatës në vend
