Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka hapur thirrjen për studiuesit dhe ekspertët që dëshirojnë të kontribuojnë me studime në botimet e planifikuara për vitin 2027.
Institucioni fton studiues nga Shqipëria, trojet shqiptare dhe rajoni, si edhe përfaqësues të komunitetit shkencor, që të paraqesin punime mbi periudha dhe figura të rëndësishme të historisë shqiptare.
Sipas njoftimit, temat e propozuara lidhen me përvjetorë të rëndësishëm historikë dhe me figura të njohura të jetës publike dhe kulturore shqiptare. Mes tyre përfshihen 90-vjetori i vdekjes së Vehbi Agollit dhe Ndre Mjedës, 95-vjetori i vdekjes së Iljaz Vrionit, 110-vjetori i vdekjes së Dom Nikollë Kaçorrit, si dhe 85-vjetori i vdekjes së Faik Konicës. Një tjetër temë e sugjeruar është edhe 150-vjetori i themelimit të Komitetit të Stambollit.
Përveç studimeve historike, pjesë e botimeve do të jenë edhe punime monografike mbi historikun dhe sfidat e arkivave, publikime dokumentesh në gjuhë të rralla si osmanishtja, greqishtja dhe latinishtja, si dhe materiale që lidhen me legjislacionin dhe metodologjinë e punës arkivore.
Punimet që do të paraqiten nuk duhet të kalojnë kufirin prej 400 mijë shenjash ose rreth 10 fletë tipografike.
Thirrja për pjesëmarrje do të qëndrojë e hapur deri më 1 maj 2026.
