Pesë persona të shpallur në kërkim për vepra të rënda penale janë arrestuar nga Policia e Tiranës dhe ajo e Krujës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Catch”. Të ndaluarit akuzohen për tentativa vrasjeje, prodhim dhe shitje narkotikësh, kultivim të bimëve narkotike si dhe dhunë në familje.
Në pranga ka rënë shtetasi Fatmir Bejo, 32 vjeç, ndaj të cilit Prokuroria ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë. Sipas policisë, më 12 shkurt 2024, pas një konflikti për motive të dobëta, ai ka goditur me mjet prerës një shtetas tjetër.
Po ashtu, është arrestuar Gëzim Lloti, 40 vjeç, i dënuar me 5 vite burgim për veprën penale “kultivimi i bimëve narkotike”, si dhe Gloris Rica, 20 vjeç, ndaj të cilit Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për “prodhim dhe shitje të narkotikëve”.
Në kuadër të të njëjtit operacion, policia ka ndaluar edhe Eralf Hima, 38 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Ndërkohë, Rahim Bajraktari është arrestuar pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 1 muaj e 8 ditë burgim për veprën penale “dhuna në familje”.
Policia bën me dije se arrestimet u kryen pas kontrolleve intensive në terren, të bazuara në informacione operative. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.
