Situata pas përmbytjeve në qarkun e Vlorës vijon të mbetet problematike në disa zona, ku uji ende nuk është tërhequr plotësisht nga banesat dhe oborret. Në njësinë administrative Novoselë janë prekur rreth 13 banesa, ndërsa në fshatin Bishan raportohen rreth 15 banesa ku uji ka qenë i pranishëm në oborre dhe, në disa raste, ka hyrë edhe brenda ambienteve të banimit.
Banorët e këtyre zonave po përballen me pastrimin e baltës, mbetjeve dhe dëmeve të shkaktuara nga dalja e lumit Vjosë nga shtrati. Ambientet e brendshme të shtëpive dhe oborret janë mbuluar nga llumi, duke vështirësuar rikthimin në normalitet.
Shqetësimi kryesor i banorëve lidhet me dëmet e mëdha në bujqësi dhe blegtori. Sipërfaqe të tëra tokash bujqësore janë përmbytur, ndërsa ushqimi për bagëtitë është dëmtuar ose zhdukur. Banorët theksojnë se kanë nevojë për ndihmë emergjente, veçanërisht për sigurimin e ushqimit për bagëtitë, pasi aktualisht nuk kanë mundësi ekonomike për ta përballuar vetë këtë situatë.
Autoritetet lokale pritet të vijojnë vlerësimin e dëmeve dhe koordinimin e ndihmës për familjet e prekura, ndërsa banorët kërkojnë ndërhyrje të shpejtë për të përballuar pasojat e përmbytjeve.
