Nga rrëmbimi në mes të Tiranës te torturat në bazën sekrete të SHIK-ut, zbardhen detaje tronditëse për zhdukjen e Remzi Hoxha

Data

Pas më shumë se tre dekadash, një nga ngjarjet më të rënda dhe misterioze të viteve ’90 në Shqipëri rikthehet në vëmendje me detaje të forta. Gazetari Artan Hoxha ka rrëfyer zhvillimet dramatike që lidhen me zhdukjen pa gjurmë të biznesmenit Remzi Hoxha, një ngjarje që konsiderohet nga ai si krim shtetëror.

Sipas tij, rrëmbimi i Hoxhës në vitin 1995 ishte një operacion i mirëorganizuar. Ai u mor nga vendi i punës në Tiranë nga persona me automjete pa targa, ndërsa më pas u bë një ndërrim makinash në zonën e Kamzës për të humbur gjurmët. Më tej, ai u transportua drejt një baze sekrete të SHIK në Kune-Vain të Lezhës.

Operacioni, sipas dëshmisë, nuk ishte i izoluar. Në të njëjtën kohë u ndalua edhe një tjetër person në jug të vendit, me qëllim krijimin e një skenari që do të lidhte dy individë pa lidhje mes tyre, përmes një personi të tretë me identitet të rremë.

Në bazën sekrete, Remzi Hoxha iu nënshtrua dhunës së rëndë gjatë marrjes në pyetje, me synimin për të nxjerrë informacion. Sipas dëshmive të përmendura, ai nuk arriti t’u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë gjatë torturave.

Vdekja e tij, sipas gazetarit, krijoi një situatë të papritur për autorët, të cilët nuk kishin planifikuar eliminimin fizik, por vetëm marrjen e informacionit. Pas kësaj, u vendos zhdukja e trupit, i cili nuk është gjetur ende sot.

Ngjarja mbeti për vite me radhë pa përgjigje të qarta, duke u kthyer në një nga rastet më enigmatike në historinë e tranzicionit shqiptar. Vetëm më vonë hetimet arritën të lidhin ngjarjen me struktura të shërbimeve sekrete të kohës.

Rasti i Remzi Hoxhës vijon të mbetet një plagë e hapur për drejtësinë shqiptare dhe një simbol i mungesës së zbardhjes së plotë të krimeve të së shkuarës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related