Korrupsioni vijon të mbetet një nga sfidat më të mëdha për Shqipërinë, duke ndikuar drejtpërdrejt në ekonominë, drejtësinë dhe cilësinë e jetës së qytetarëve. Një sondazh i fundit i kryer nga IDRA Research & Consulting, i financuar nga Shërbimi Ndërkombëtar i Komunikimit i Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, konfirmon se 91% e shqiptarëve e konsiderojnë korrupsionin si një problem madhor, ndërsa besimi tek institucionet që luftojnë këtë fenomen mbetet i përzier. Një nga gjetjet më të rëndësishme të studimit është rritja e ndërgjegjësimit dhe mbështetjes për SPAK, institucionin kryesor që heton dhe ndjek penalisht aferat korruptive. 95% e qytetarëve janë në dijeni të SPAK, ndërsa 62% besojnë se ky institucion ka qenë efektiv në trajtimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Sondazhi tregon gjithashtu se 74% e qytetarëve besojnë se ulja e korrupsionit do të ndikonte pozitivisht në ekonominë e vendit, ndërsa 73% mendojnë se një luftë e suksesshme kundër korrupsionit do të ndihmonte integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Një tjetër tregues shqetësues është perceptimi i qytetarëve për keqpërdorimin e pushtetit politik për përfitime personale, i cili konsiderohet si shkaktari kryesor i korrupsionit në vend (69%). Lidhjet mes biznesit dhe politikës, si dhe zbatimi i dobët i ligjeve, janë faktorë të tjerë që e mbajnë Shqipërinë në një cikël korrupsioni dhe pabarazie. Megjithatë, rezultatet e sondazhit tregojnë një shpresë të re, pasi për herë të parë në vite, qytetarët kanë një institucion tek i cili shohin mundësinë reale të ndëshkimit të politikanëve dhe zyrtarëve të korruptuar. SPAK është kthyer në një simbol të drejtësisë dhe shumica besojnë se vepron në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, duke vendosur themelet për një Shqipëri më të ndershme.
