Prokuroria e Posaçme (SPAK ) ka goditur sërish organizatën kriminale të Çopjave me bazë në Elbasan, duke u sekuestruar pasuri me dyshimet që janë vënë nga aktiviteti kriminal i kësaj organizate me në krye Franc e Hajdar Çopja. Konkretisht, SPAK ka vënë në sekuestro Solis Farm, një pikë agroturizmi në Mumajes të Baldushk-ut, godinën dhe sipërfaqen e tokës në të cilën ky operator ekonomik ushtron aktivitetin. Godina e ‘Solis Farm’ përbëhet nga dy kate, kati i parë nga kuzhina, restoranti, ambienti i restorantit, veranda, etj dhe kati i dytë i përbërë nga dy dhoma, sallon etj. Në sekuestro janë vënë tavolina, karrige shërbimi, një kënd lojërash për fëmijë, një ambient ku mbahen shpendë të ndryshëm të cilat ndodheshin në oborr. “Prokuroria e Posaçme përmes njoftimeve të publikuar më 01.08.2024 dhe 21.01.2025 informoi mbi procedim penal të një organizate kriminale, e cila e kishte bazën në qytetin e Elbasanit dhe drejtohej nga vëllëzërit F. G. (ndryshe F. Ç.) dhe H.B. (ndryshe H. Ç.) si dhe sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe paluajtshme, që dyshohet se janë produkt i veprës penale.
Prokuroria e Posaçme ka vijuar me kryerjen e hetimeve në drejtim të evidentimit dhe sekuestrimit të pasurive të luajtshme dhe paluajtshme, të cilat dyshohet se kanë origjinë kriminale. Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore është bërë e mundur evidentimi i një pasurie të paluajtshme e vlera e së cilës është e konsiderueshme. Më datë 18.02.2025, në zbatim të vendimit nr. 115, datë 12.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është vendosur “sekuestro preventive’’ për operatorin ekonomik “S….. FARM” (me aktivitet në fushën e agroturizmit, shërbime akomodimi në struktura hotelerie, bujtinë, shtëpi pushimi, vila, shërbim bar-restorant-kafe etj), si dhe për godinën dhe tokën, në sipërfaqen e të cilës ky operator ekonomik ushtron aktivitetin, konkretisht, pasuria e paluajtshme në Mumajes, Baldushk, Tiranë. Pasuritë e sekuestruara: Pasuria e paluajtshme në Mumajes, Baldushk, (pjesë e OE-së “S. FARM”); Godinë shërbimesh restorant; kati i parë përbëhet nga kuzhina, restoranti, ambienti i restorantit, veranda, etj dhe kati i dytë i përbërë nga dy dhoma, sallon, etj; Oborri (hapësira rreth ndërtesës) në të cilën gjenden tavolina dhe karrige shërbimi, një kënd lojërash për fëmijë, një ambient ku mbahen shpendë të ndryshëm; Dhomë shërbimi jashtë restorantit; Sendet dhe orendi, të ndodhura në restorant.
