Ndryshimi i ligjit për gjendjen civile përmbys precedentët, të burgosurit votojnë sipas vendndodhjes së institucionit

Data

Zgjedhjet vendore të vitit 2027 pritet të zhvillohen me rregulla të reja për votimin e të burgosurve, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgatitur një projektvendim që ndryshon mënyrën e ushtrimit të kësaj të drejte.

Sipas draftit, personat që ndodhen në institucionet e vuajtjes së dënimit do të votojnë për kryetarin e bashkisë ku ndodhet burgu, duke ndryshuar praktikën e mëparshme.

Ky zhvillim vjen pas debatit të fortë që pasoi zgjedhjet e vitit 2023 në Rrogozhinë, ku rezultati u rrëzua nga Kolegji Zgjedhor për shkak të votave të të burgosurve, të cilët nuk kishin vendbanim në atë bashki.

Në atë kohë, interpretimi ligjor ishte se burgu konsiderohej “vendqëndrim” dhe jo “vendbanim”, një kusht i domosdoshëm për votimin në zgjedhjet vendore.

Megjithatë, ndryshimet në ligjin “Për gjendjen civile” në vitin 2024 e kanë riformuluar këtë qasje, duke përcaktuar se për personat që qëndrojnë për një kohë të gjatë në institucione si burgjet apo spitalet, vendbanimi për qëllime zgjedhore është vetë institucioni.

Bazuar në këtë ndryshim ligjor, KQZ ka hartuar rregulla të reja që synojnë të shmangin konfliktet dhe debatet e mëparshme, duke vendosur edhe afate të qarta për përgatitjen e listave të votuesve, të cilat duhet të konfirmohen jo më vonë se 40 ditë para zgjedhjeve.

Megjithatë, çështja mbetet e hapur për debat, pasi partitë politike pritet të japin qëndrimin e tyre, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që kjo temë të rikthehet sërish në institucionet e drejtësisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related